E ardhmja e Kylian Mbappes te PSG është ende e paraqartë.
Skuadra parisiene nuk e ka ftuar yllin francez në turneun parasezonal në Japoni, duke e lënë të stërvitet me futbollistët të cilët do të largohen gjatë afatit kalimtar veror, shkruan IndeksOnline.
Mbappe ia ka bërë me dije klubit muaj më parë se nuk do të vazhdoj kontratën e cila skadon në qershor të vitit të ardhshëm, derisa PSG-ja dëshiron ta shes gjatë kësaj vere për të mos e humbur falas në fund të sezonit.
Por ish-futbollisti i PSG-së, Zlatan Ibrahimovic ka komentuar situatën e Mbappes në një intervistë për Canal +.
“A bëri një gjë të mirë kur zgjati kontratën me PSG-në? Jo për veten e tij, po për PSG-në. Ai e vuri veten në një situatë ku ai është më i rëndësishëm se klubi, por nuk mund të jesh kurrë më i madh se klubi. Dhe kur një fëmijë bëhet kaq i fuqishëm, ai fiton para të lehta. Pastaj prindërit e tij bëhen agjentë.
Këtu humbet vetë-disiplina dhe identiteti juaj. Sot, me këtë gjeneratë të re, prindërit, baballarët, nënat, këdo që dëshironi, ata mendojnë se janë bërë yje.
Ata flasin shumë në media, por duhet të mbyllin gojën. I takon djalit të punojë dhe të disiplinohet”, ka thënë Ibrahimovic.