Është zhvilluar këtë të enjte në Gjykatën e Sarandës seanca për caktimin e masës së sigurisë për 41-vjeçarin, Klementin Islamaj, i cili dyshohet se ka shtyrë babanë e tij 69-vjeçar, Hyso Islamaj duke i shkaktuar vdekjen, pasi ky i fundit i kishte vrarë më parë nënën, 66-vjeçaren, Shano Islamaj.
Në gjendje shumë të rëndë psikologjike, Islamaj ka shpjeguar edhe njëherë para gjyqtarit, Fatmir Ndreu, kronologjinë e ngjarjes duke theksuar se kurrsesi nuk kishte qëllim t’i shkaktonte vdekjen babait, raporton ABCnews.al, transmeton Klankosova.tv.
“Jam i divorcuar dhe kam tre fëmijë nga dy martesa. Dy prej fëmijëve kishin një muaj që kishin ardhur në shtëpinë tonë. Kur dëgjova zhurmë nga shtëpia, se isha tek kafja, më thanë edhe lagjarë të mi, mendova se u kishte bërë gjë fëmijëve por kur shkova aty pashë që kishte goditur mamanë me sopat duke i hapur kokën. Pashë trutë e mamasë në tokë. Nuk e di se si u ndjeva në atë moment. Nuk kam dashur ta vras, thjesht e shtyva e u pengua”, ka thënë Islamaj.
Prokurorja e çështjes, Valbona Maja ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, ndërsa avokati Merdan Nora ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi si “garancia pasurore”.
Në fakt, sipas mediave të Shqipërisë, kanë qenë vëllai dhe motra e Klementin Islamajt ata që treguan gatishmëri për të paguar garancinë, në mbështetje të vëllait të tyre. Edhe më herët të pyetur vëllai e motra kanë dëshmuar se babai i tyre tërë jetën ka qenë i dhunshëm me nënën e tyre por edhe me ata vetë.
Në fund të seancës gjyqtari Ndreu ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”.