Site icon PrishtinaPress

Ia vodhën 50 mijë euro, reagon Mirsad Shkreta

Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, të enjten ka qenë cak i hajnave. Siç u raportua, atij dyshohet se i janë vjedhur 50 mijë euro dhe stoli në vlerë prej 10 mijë euro. Shkreta në Polici ka deklaruar se paratë nuk ishin vetëm të tij, por edhe të baxhanakut.

Pas kësaj ngjarje, nuk ka munguar reagimi i vetë deputetit.

Ai në Facebook ka shkruar se i ka përmbushur obligimet sipas ligjit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në mars të vitit 2023.

“Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre. Vetëm që 1 vit e gjysëm kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”, ka shkruar ai.

Exit mobile version