3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

I vodhën mijëra euro e franga nga “baba Sheh” në Gjakovë, shtatë vjet burgim për dy hajnat

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues prej shtatë vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë ndaj të pandehurve Xh.Th. dhe U.Th të cilët kishin kryer vjedhje në Teqenë e Madhe në Gjakovë.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, dy të pandehurit akuzohen për vepër penale “vjedhja e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa për të pandehurin Xh.Th., edhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton Klankosova.tv

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku të akuzuarit pranuan fajësinë, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm, Driton Sadiku, i shpalli fajtorë të pandehurit Xh.Th. dhe U.Th. për veprat penale të kryera. Të pandehurit Xh.Th., iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vjetësh për veprën penale “Vjedhja e rëndë,” si dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1,500 euro për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.” Ndërkohë, i pandehuri U.Th., u dënua me burgim prej tre vitesh për veprën penale “Vjedhja e rëndë.” Ky vendim pason pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve gjatë procesit gjyqësor.

Të pandehurit Xh.Th. dhe U.Th., akuzoheshin se “Më datën 20.05.2023, rreth orës 21:40 deri në orën 22:34, në Gjakovë, në rrugën “M.Ll.”, në shtëpinë e të dëmtuarit M. Sh., Klerik i Teqesë së Madhe në Gjakovë, të pandehurit, në bashkëkryerje, duke depërtuar me forcë në dhoma të mbyllura, marrin pasurinë e personit tjetër, këtu të dëmtuarit M.Sh., e cila shërbente për qëllime fetare, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete. Në atë mënyrë, paraprakisht pajtohen në përgatitje të planit duke i ndarë rolet lidhur me veprimet e tyre, ashtu që takohen një ditë më herët, përkatësisht më datën 19.05.2023, ku edhe pajtohen që për ditën kritike i pandehuri B.B., ta marrë veturën e tij, ndërsa i pandehuri U.Th. të sigurojë informata për lëvizjen e familjarëve të dëmtuarit M.Sh., të cilët kishin për të shkuar në një dasmë në Restorant “O.E.” në Gjakovë. Ashtu që i pandehuri Xh. e pajis me një telefon Nokia, me numër 049/…-…, të pandehurin B., me qëllim që të mbajnë kontaktet mes vete. Ditën kritike, të pandehurit Xh. dhe B. takohen në lagjen “Çabrat”, ku edhe nisen në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit dhe, në rrugë e sipër, i pandehuri Xh., përmes numrit të tij 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim, e telefonon të pandehurin U. në numrin 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim.

Pas marrjes së informatave nga i pandehuri U., ku sigurohet se familjarët e të dëmtuarit kishin shkuar në dasmë, i pandehuri Xh. së bashku me të pandehurin B. afrohen te shtëpia e të dëmtuarit ku bëjnë disa lëvizje dhe më pas veturën e parkojnë sipër shëtitores në rrugën “R. P.”. I pandehuri Xh. zbret nga vetura dhe shkon në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit, ndërsa i pandehuri B. del nga vetura dhe vazhdon në këmbë në drejtim të rrugës “R.P.”, duke bërë disa lëvizje rreth veturës së tij derisa i pandehuri Xh. e kryen aktin e vjedhjes. Fillimisht, duke kaluar murin rrethues të oborrit të fqinjit të të dëmtuarit, G.P., depërton në shtëpinë e të dëmtuarit M.Sh. dhe nga dhoma e fjetjes së tij merr dy (2) kasaforta, njëra me ngjyrë të gjelbër dhe tjetra me ngjyrë të zezë. Përsëri largohet nga oborri i fqinjit, në të cilin oborr, me forcë e hap kasafortën e gjelbër ku merr çelësat e kasafortës së zezë, 400.00 franga (monedha të metalta), 13,000.00 lekë shqiptare, si dhe një çantë në të cilën kishte stoli ari në vlerë prej 1,600.00 euro. Më pas, pasi merr çelësat nga kasaforta e gjelbër, e hap kasafortën e zezë dhe merr 114,000.00 euro; 60,000.00 franga zvicerane; 10,000.00 dollarë amerikanë; 1,000.00 paund anglezë. Këto para ishin mbledhur nga besimtarët (myhybët) e të dëmtuarit, me destinim për vazhdimin e ndërtimit të Teqesë në Prizren. Pasi merr të njëjtat, përgjatë oborrit të fqinjit largohet, ku në ora 22:34 minuta hipën në veturën e të pandehurit B., i cili ishte duke e pritur në parking sipër shëtitores, dhe së bashku nisen në drejtim të muzeut të qytetit.

Në ato momente, pasi largohet nga shtëpia e të dëmtuarit me sendet e marra, i pandehuri Xh., në ora 22:37 minuta, përmes numrit 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim, e telefonon të pandehurin U. në numrin 049/…-…, po ashtu një numër telefonik që i pandehuri U. e kishte në shfrytëzim, dhe e njofton se e ka kryer aktin e vjedhjes duke i thënë: “U kry, u kry, vazhdo ti,” ashtu siç ishin dakorduar paraprakisht. Pas largimit nga vendi i ngjarjes, të pandehurit B. ia jep shumën prej 9,000.00 euro, ndërsa të pandehurit U. ia jep shumën prej 17,000.00 euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shkallë të madhe.”

Ndërsa gjatë kontrollit të datës 09.06.2023 nga policia, arma pistoletë gjysmë-automatike Pietro Beretta, model 70 dhe 6 fishekë u gjetën në automjetin e të pandehurit Xh.Th. .

I pandehuri B.B., është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim, në një procedurë të veçuar penale pasi i njëjti kishte pranuar që në këtë çështje penale të dëshmoi si dëshmitar bashkëpunues, si dhe kishte arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë në Prokurorin Themelore të Gjakovës.

U konfiskuan gjashtë vetura, për të cilat Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë u autorizua që, pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, t’i shesë. Të ardhurat nga shitja do të përdoren për kompensimin e të dëmtuarit M.Sh. Gjithashtu, shuma prej 6,550.00 euro e konfiskuar do t’i kthehet po ashtu të dëmtuarit M.Sh.

I dëmtuari për realizimin e kërkesës së mbetur pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img