Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh ish-policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohet për terrorizëm.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri D.P, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, thuhet në përgjigjen e zyrtares për informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi.
Më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi të dyshuarit masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Më pas, PSRK njoftoi se kjo masë u ndryshua duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht human.
Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ndërsa më 5 janar 2023 iu vazhdua kjo masë edhe për dy muaj.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.