Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate në Prishtinë, ku një person është ndalur për kontroll nga një njësi policore në rrugën ‘Ismail Dumoshi’.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit trupor, 26-vjeçarit i janë gjetur disa qese me substancë të dyshuar narkotikë të llojit marihuanë.
Narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.