Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.
Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në Shipol të Mitrovicës, ku Policia ka ndaluar dy persona, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te njëri nga personat që u kapën, pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur 5 qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë.
Pas përfundimit të kontrollit policor, qeset me marihuanë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.