Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka tentuar t’iu përgjigjet kritikave të Departamentit të Shtetit dhe vendeve të QUINT-it, të cilët shprehen indinjatën me aksionet e Policisë së Kosovës, në veri të vendit.
Sveçla i ka quajtur brenga e jo kritika, mospajtimet e partnerëve ndërkombëtarë për veprimet në komunat veriore.
“Nuk ka kritika, ka brenga të cilat kohë pas kohë ata i shfaqin. Ne bashkëpunojmë ngushtë më të gjithë, i kuptojmë brengat e tyre, por po ashtu qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim qoftë ndaj gjeneratave të tanishme, por edhe brezave të ardhshëm që njëherë e përgjithmonë situatën atje ta stabilizojë në të mirë dhe rendit e ligjit”, ka thënë Sveçla për EO.
Sveçla ka lavdëruar organet e rendit për menaxhimin e situatës në komunat veriore.
Kritikat e faktorit ndërkombëtarë, erdhën pas një aksioni të Policisë së Kosovës, në veri të vendit ku u mbyllen disa filiale të bankës së Serbisë që operonte në katër komunat e asaj pjese.
Sveçla këtë aksion e vlerësuar si të duhur për largimin e mekanizmave të Serbisë nga Kosova.
Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) në maj tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës, ku janë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.
Nga DASH thanë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.