Site icon PrishtinaPress

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane: Sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, presidentja Vjosa Osmani është takuar me të ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë Nicholas J. Giacobbe.

Osmani i tha Giacobbe se Serbia po tenton ta destabilizojë situatën gjë që, sipas saj, është në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të SHBA-ve, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.

E para e vendit tha se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm, derisa theksoi se se zbatimi i kësaj mase nga institucionet e Kosovës është në përputhje të plotë me marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.

Osmani e bëri të qartë po ashtu që Kosova në asnjë moment nuk e ka për qëllim të eskalojë situatën.

Ajo tha se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit, si dhe mbrojtja e secilit qytetar në Kosovë. Duke folur për procesin e dialogut, Osmani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e  trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të.

Ndërsa Giacobbe potencoi se për SHBA-të sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje.

Exit mobile version