Do të duhej të jepte dëshminë sot në gjyqin për fajde, ku është palë e dëmtuar. Por, Ibrahim Kazazit ia pamundësuan dëshminë dy persona, të cilët në lokalin e tij e plagosën dje me sëpatë e revole.
Në këtë rast gjyqësor, dëshmitari Kazazi është në cilësinë e palës së dëmtuar.
Në një intervistë për KALLXO.com, Ibrahim Kazazi, i cili po kurohet në spital në Prishtinë, ka rrëfyer momentin kur u plagos me sëpatë e revole.
“Kam qenë në lokal dhe kanë hy dy persona. Pa folur kurrgjë, njëri me ka goditur me sakicë dhe tjetri e ka nxjerrë revolen dhe më ka plagosur. Unë rash në tokë dhe prapë ai me sakicë me sulmoi”, tha Kazazi për KALLXO.com.
Ai thotë së nuk i njeh personat që e sulmuan, por tregon se sot do të duhej të ishte dëshmitar në rastin e fajdeve, ku është palë e dëmtuar.
Ibrahim Kazazi mendon se sulmi mund të ketë lidhje me dëshminë që do të duhej ta jepte sot në gjyq.
Kazazi tregon se sa ishte vlera e parave që kishte marrë me fajde dhe sa i ktheu më pas.
“Herën e parë i kam marrë 2 mijë euro dhe për 2 mijë euro i kam kthyer gati 85 mijë euro. Dhe kur e panë që jam kah i kthej paret edhe shpinë kanë dashur me ma marrë”, rrëfen ai.
Kazai tha se qyteti i Prizrenit është “bajagi” i rrezikuar nga fajdetë.
Sa i përket situatës së dëshmitarëve të fajdeve ai tha se më së miri flet gjendja e tij e sotme.
Në mesin e personave të akuzuar për fajde është edhe Bernard Perlazri, i cili në një lëndë tjetër është i akuzuar për vrasjen e Hekuran Morinës. /KALLXO.com/