Site icon PrishtinaPress

I dyshuari për vrasjen në Pejë: Kam lindur për së dyti!

Në Gjykatën Themelore të Pejës i dyshuari për vrasjen e para dy ditëve në Pejë, Kreshnik Haliti, konsideroi se pardje ka lindur për së dyti, ndërsa shprehu keqardhje për atë që ndodhi.

“Unë kam lindur për se dyti atë ditë. Ndjej keqardhje të madhe për atë qe ka ndodhur me të ndjerin”, tha Haliti.

Ai doli para gjykatës si i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të Mentor Zekajt që ndodhi në Pejë të hënën.

Në seancë, prokurori Ardian Hajdaraj kërkoi paraburgim për Kreshnik Halitin, teksa e lexoi kërkesën për këtë masë sigurie.

Prokurori tha se Haliti kreu veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa deklaroi se në bazë të provave të prezantuara motivet e vrasjes lidhen me përfitime pasurore.

Familjarët e të vrarit Mentor Zekaj thanë dje se vrasja ndodhi për shkak të një borxhi.

Prokurori Ardian Hajdaraj tregoi se tash i ndjeri Mentor Zekaj pardje lëvizte me makinën e tij “Toyota” në Lagjen “Fidanishte” të Pejës kur u ndalua nga i dyshuari Kreshnik Haliti që pastaj kishte hyrë në veturë.

“Pasi ka hyrë në veturë i dyshuari, gjatë bisedës me viktimën ka filluar konflikti, ku viktima (Mentor Zeka) me pas ka tentuar për të ikur nga vendi i ngjarjes, por me pas është privuar nga jeta me revole nga i dyshuari (Kreshnik Haliti)”, tha prokurori Hajdaraj.

Prokurori më tutje deklaroi se i dyshuari mori më pas veturën e viktimës dhe iku nga vendi i ngjarjes.

Por Bahri Troshupa, avokati i Kreshnik Halitit kundërshtoi propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit dhe kontestoi versionin e vrasjes që e dha prokurori në kërkesën e tij.

“Kërkesa është e pabazuar sepse nuk qëndron konstatimi i këtij përshkrimi nga prokuroria. Përshkrimi i rastit nuk përkon me realitetin. E vetmja bazë është se ka pësuar një person”, tha avokati Troshupa.

Ai kërkoi që t’i bëhet ekspertizë armës dhe gjurmëve të gishtërinjve në të, pasi sipas Troshupës kjo armë është e viktimës.

KALLXO.com merr vesh nga gjyqtari i procedurës paraprake Sylë Lokaj se Kreshnik Halitit i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.

Javët e fundit në qytetin e Pejës u vranë dy persona dhe një u plagos pas rreth dy vjetësh kur nuk kishte raste vrasjeve në ketë qytet.

Exit mobile version