4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

I dërguari britanik, sulmi në Kosovë “incident shumë serioz”, kërkojmë hetime të plota dhe kthim në dialog

I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë.

Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt. Në një intervistë për kolegen Garentina Kraja ai thekson se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republika Srpska tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Lordi Peach, cili është vlerësimi juaj për atë që ndodhi në Kosovë më 24 shtator?

Stuart Peach: Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetēm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet.

Zëri i Amerikës: Autoritetet në Kosovë thonë se ka dëshmi shtesë, përfshirë gjetjen e një sasie të mëdhe armësh këtë javë në pjesën veriore të Kosovës, që provojnë se qëllimi i sulmit ishte aneksimi i territoreve nga Beogradi. A mund të ndodhte një sulm i tillë pa njohurinë dhe përkrahjen e Beogradit?

Stuart Peach: Natyrisht, gjeografia dihet mirë dhe gjeografikisht këto dyja vende janë afër. Nga përvoja ime ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e atij kufirit. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqëndrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, a do të ishte e mundur të ndodhte një sulm i kësaj shkalle, pa përkrahjen e Beogradit, sipas jush?

Stuart Peach: Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues kanë thënë se dialogu nuk ka më kuptim. Pas këtij incidenti a mund të vazhdohet me dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë?

Stuart Peach: “Të vazhdohet sikur mos të ketë ndodhur gjë” mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik. Dua të them se mes shteteve nuk ka kurrë arsye që të mos bisedohet. Natyrisht, ka gjendje lufte dhe gjendje konflikti dhe situate e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asnjëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Serbia të mos të flasin me njëra-tjetrën në një dialog, që ne e mbështesim.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh ngjarjet në Lindjen e Mesme, a mendoni se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, është një rast tjetër aktorësh keqdashës, që krijojnë konflikt, apo i lidhur me kontekstin më të gjerë të luftës në Ukrainë?

Stuart Peach: Është pyetje shumë komplekse. Nuk mendoj se ka një lidhje në shikim të parë ndërmjet ngjarjeve në Lindje të Mesme, që përbëjnë një tragjedi për të gjitha palët e përfshira dhe situatës në Kosovë dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por, do të them se që kur Presidenti Putin filloi luftën e jashtëligjshme kundër Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk ka dyshim se në Gadishullin Ballkanik kujtimet janë ngjallur dhe ka më shumë tensione. Dhe kjo është për shkak të natyrës së asaj që ka ndodhur dhe mënyrës se si lufta në Ukrainë është zhvilluar. Por, duhet po ashtu të jemi të qartë si brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ndër miq, se duhet të vazhdojmë të bisedojmë me miqtë në rajon, me të gjithë dhe të inkurajojmë dialogun në rajon.

Zëri i Amerikës: Për momentin ndodheni në Tiranë për takimin e Procesit të Berlinit. Sipas Presidentit Vuçiç, ju dhe të dërguarit e tjerë për Ballkanin, do të shkoni gjatë javës në Beograd dhe Prishtinë. Cila është aryseja e vizitës dhe çfarë do t’u kërkoni udhëheqësve në dyja vendet?

Stuart Peach: Unë nuk planifikoj të jem pjesë e asaj vizite për të cilin u bë njoftimi. Unë kryej vizita sipas planit tim, si i dërguari i posaçëm i kryeministrit britanik për rajonin. Por, ajo që është e rëndësishme ta them është se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë dialogun, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe vazhdon ta mbështesë me të gjitha burimet që kemi në dispozicion, që kryesisht janë burime të mbrojtjes dhe sigurisë, nëpër tërë rajonin, për t’u siguruar që dialogu të vazhdojë dhe të përpiqemi të arrijmë një formë normalizimi sa më parë që të mundemi. Nuk duam që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të bëhet shkas për konflikte të tjera. Nuk e duam një gjë të tillë. Andaj Britania e Madhe vazhdon që, qetësisht, me autoritet dhe përmes veprimeve të mia në emër të qeverisë time, të vazhdojmë të flasim me udhëheqësit dhe mbështesim dialogun nëpër tërë rajonin.

Zëri i Amerikës: Qeveria juaj, krahas qeverive të tjera perëndimore, ka inkurajuar autoritetet në Kosovës, para këtij sulmi, të punojnë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. A është ky ende qëndrimi juaj dhe cili është vizioni juaj se si duhet vazhduar tutje?

Stuart Peach: Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.

Zëri i Amerikës: Dhe vizioni juaj për rrugën përpara. A duhet ndryshuar ndonjë aspekt, të përshpejtohet?

Stuart Peach: Pjesa qenësore e vizionit tonë është të mbështesim ata që do të jenë përgjegjës të hartojnë statutin e asociacionit dhe punën që ata po bëjnë qysh tani. Vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje përmes procesit të Berlinit, që është një nismë e veçantë, por të gjithë janë të pranishëm, e mbështesim përmes pranisë tonë në NATO dhe përmes marrëdhënieve tona të gjithanshme në tërë Ballkanin në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.

Mesazhi im për palët do të ishte që për shkak të të gjitha konflikteve që kanë shpërthyer në botë, tani është koha për dialog, tani është koha të mos shikojmë vazhdimisht në të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Ballkani meritojnë të ardhme më të ndritshme./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img