Site icon PrishtinaPress

I biri i Ukshin Hotit gati të përballet me Serbinë: Të pagjeturit të jenë kusht për marrëveshjen finale

Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tani po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet. I emëruar ditë më parë në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur, Andin Hoti është i gatshëm të përballet me palën serbe.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë që të hap arkivat dhe të tregojë vendndodhjen për 1632 personat e zhdukur dhe të vihet drejtësi.

Andin Hoti, në një bisedë me KosovaPress, thotë se këto dy emërime nuk i sheh si pozitë pune, por obligim moral për të bërë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“E kam marrë si obligim moral e kombëtar që e ndjej të jap kontribut, të jap maksimumin tim drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, jo për faktin që babai im konsiderohet i zhdukur por për faktin që Kosova ende e ka një plagë të rëndë që e bartë me vete prej 22 vite tashmë, dhe që ende 1632 familje vuajnë dhe e kanë një plagë të hapur për këtë çështje, them kështu sepse e kam edhe rast personal, ende secila prej këtyre familjeve zgjohet prej gjumit me shpresën mos ndoshta sot do ta kemi një njoftim, një lajm se çka ka ndodh me fatin e familjarit që është kidnapuar prej luftës së fundit në Kosovë”, thotë Hoti.

Hoti theksoi nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, meqë siç thotë ai, Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur.

“Neve kemi nevojë shumë për përkrahjen dhe trysninë e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, adresa e vetme për personat e zhdukur me forcë është Serbia, Qeveria e Serbisë, sepse neve e dimë që gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë e ka bërë qeveria e atëhershme e Serbisë dhe adresa e vetme edhe për zbardhjen e fatit të këtyre personave është qeveria e Serbisë, por neve edhe si delegacion do të tentojmë të bashkëpunojmë me komisionin homolog që e kemi në Serbi atje, komisionin qeveritar të tyre për personat e zhdukur, në mënyrë që Serbia duke e pas përsysh edhe presionin ndërkombëtar, që po shpresojmë ta rrisim, të hap arkivat e luftës së fundit në Kosovë”, thotë ai.

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, Hoti thotë se është çështje humane dhe duhet të trajtohet si e tillë, por sipas tij, për Serbinë vazhdon të jetë politike andaj shton se presioni i faktorit ndërkombëtar mbetet rruga e vetme që Serbia të bindet për hapjen e arkivave.

Hoti ende nuk e di kur do ta ketë takimin e parë me palën serbe, por thotë se do ta tejkalojë aspektin emocional dhe prioritet do ta ketë zbutjen e plagës së secilit familjar që ende pret të dëgjojë lajm për më të dashurit e zhdukur.

“Si do të jetë përballja ime me palën serbe duke pasur parasysh që, nuk po them direkt që është ajo aty është e përfshirë, por duke pasur parasysh që ata përfaqësojnë diçka që më kanë zhdukur prindin mua dhe 1632 persona të tjerë në Kosovë, mirëpo për mua, dhe mendoj që për të gjithë qytetarët e Kosovës, interesi primar, kryesor, është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, pas parasysh edhe përvojën profesionale, mendoj dhe jam i bindur që në aspektin emocional mund ta tejkalojë, dhe aspektin emocional mund ta kem si ndihmesë time në mënyrë që të mund të jem ballëhapur sepse unë jam ballë hapur para palës serbe, neve jemi viktima, ata janë agresori në këtë rast, dhe të kërkojmë drejtësinë për 1632 personat e zhdukur”, thotë ai.

I biri i Ukshin Hotit thotë se e ka marrë mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur dhe zotohet se do të jetë zëri i tyre në çdo takim.

Ai vlerëson se çështja e personave të pagjetur duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës, pa zgjidhjen e së cilës thotë se nuk duhet të ndodh marrëveshja finale me Serbinë.

“Institucionet e Kosovës nuk është që po bëjnë zero punë, por nuk po bëjnë mjaftueshëm punë në mënyrë që të rrisin trysninë ndaj faktorit ndërkombëtar. Me sa unë e kam parë, dy takimet e fundit që kanë qenë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, në të dyja ka qenë prioritet çështja e të zhdukurve, këtë gjë e kam kërkuar edhe në vitin 2017 kur kam qenë deputet, që çështja e të zhdukurve në dialogun Kosovë-Serbi jo vetëm të jetë prioritet, por të jetë kusht për përfundimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Nuk konsideroj dhe nuk besoj që duhet të ndodh marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë pa zgjidhur fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, thotë Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Andin Hotin kryesues të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur dhe kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur.

Exit mobile version