Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Fatlum Mehmeti i cili po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H., gjatë një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar, ka deklaruar se dhimbja dhe malli që ka për të ndjerin tejkalon çfarëdo lloj lartësie dënimi.
“Për mua ma shumë se çfarëdo lloj dënimi është e rëndësishme që drejtësia për shokun tim të vihet në vend sepse dhimbja dhe malli që kam për të e tejkalon çfarëdo lloj lartësie dënimi po se deri në atë fazë të aktgjykimit. Unë kërkoj që të më caktohet një masë më e lehtë në këtë rast arrest shtëpiak”, tha i akuzuari Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti ka njoftuar se nuk prezanton pala e dëmtuar L.H- S. e cila kishte qenë e ftuar në mënyrë të rregullt por që dje më 11 shtator 2023 kishte kërkuar nga gjykata shtyrjen e kësaj seance pasi që gjendet jashtë vendit me nënën e saj për arsye shëndetësore.
Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha i cili sipas gjykatësit Shyti kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Lidhur me këtë, prokurori i shtetit Ilaz Beqiri u pajtua që kjo seancë të ndërpritet dhe të vazhdohet një ditë tjetër duke vlerësuar interesimin e madh që ka pala e dëmtuar për ndjekjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku e ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e palës së dëmtuar për shtyrjen e kësaj seance me arsyetimin se prezenca e tyre nuk obligative dhe se të njëjtit përfaqësohen nga një avokat, duke propozuar që të refuzohet një kërkesë e tillë.
Po ashtu, i njëjti ka propozuar që ndaj të akuzuarit Mehmeti të zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak me arsyetimin se nuk ka ndonjë ndryshim të gjendjes faktike dhe se kanë kaluar të gjitha rrethanat ligjore që i njëjti të qëndroj në paraburgim.
Tutje, avokati Buzuku ka propozuar që gjykata të vie në dispozicion ligjin për mbikëqyrje elektronike të personit të cilëve iu kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës
Ndërkaq, i akuzuari Mehmeti u pajtua me avokatin Buzuku duke shtuar se bashkëndjen me familjen e dëmtuar.
“Për mu nuk është problem edhe nëse shtyhet seanca, por prolongimi i deritashëm i këtij shqyrtimi gjyqësor ku nga 7 seanca nuk janë mbajtur 5 prej tyre po besoj se kjo po na shtin në një rreth vicioz të pafund dhe se dëshira dhe qëllimi ynë i vetëm është që kësaj çështje t’i japim epilog meritor”, ka thënë Mehmeti.
Ndërsa, lidhur me propozimin e avokatit Buzuku për zëvendësimin e masës së paraburgimit, i akuzuari Mehmeti tha se kjo një kërkesë plotësisht legjitime pasi që sipas tij tani janë shuar rrethanat ligjore për caktimin e masës së tillë.
“Unë jap zotimin tim të plotë se kurdo e kudo do i përgjigjem pozitivisht organeve të drejtësisë dhe se asnjëherë as mendja s’ka mem shku me ndiku në dëshmitar ose me provu me ndryshu ndonjë provë që konform ligjit për mbikëqyrje elektronike sipas ligjeve të aplikueshme në vendin tonë të mbikëqyrem apo monitorohem në mënyrë elektronike nga organet e renit”, shtoi Mehmeti.
Ndërsa, prokurori Beqiri nuk u pajtua me propozimin e mbrojtësit dhe kërkesës së të pandehurit për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak duke vlerësuar se ende nuk kanë pushuar shkaqet për cilat është caktuar dhe vazhduar ajo masë.
Kurse, trupi gjykues pas këshillit dhe votimit ka aprovuar kërkesën e të dëmtuares L.H-S. për shtyrjen e kësaj seance meqenëse e njëjta ka arsyetuar kërkesën se gjendet jashtë vendit për shkak të shëndetit të nënës së saj duke vlerësuar se sikur të mbahej kjo seancë do t’i humbte e drejta palës së dëmtuar që të parashtroj pyetje dhe vërejtje dhe t’i realizoj të drejtat e saj të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
Ndërkaq, ka refuzuar kërkesën e avokatit Buzuku për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarit Mehmeti duke vlerësuar se ende nuk kanë pushuar shkaqet ligjore për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit.
Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua të mbahet më 11 tetor 2023.
Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.
Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.