Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë, Ekrem Hyseni ka komentuar ceremoninë e vendosjes së shtatores së ish- Presidentit Rugova ku pjesëmarrës ishin Vjosa Osmani, Albin Kurtit dhe figura tjera të institucioneve të vendit.
Hyseni thotë se prania e tyre në këtë ceremoni është dëshmi e besnikërisë ndaj vet Presidentit Rugova dhe LDK-së.
Sipas tij, as të tejrët, e as kryetari i Podujevës nga radhët e VV’së, Shpejtim Bulliqi, që deri dje ishte në struktura të larta të LDK-së në Podujevë, nuk qenë në gjendje as ta propozojnë e as ta bëjnë një shtatore të tillë, por thotë se e bëri e sot për të përfituar edhe një herë në emër të Presidentit Rugova dhe të LDK-së.
“Vendosja e saj po bëhet në prag të një fushate zgjedhore, nga një mashtrues tipik, i cili herë thirret në Ibrahim Rugovën e në të djathtën, herën në Albin Kurtin e në të majtën, me qëllim të mbijetesës së tij politike e realizimit të interesave puro personale. E djathta dhe e majta janë thellësisht e thelbësisht të ndryshme, ashtu siç janë thelbësisht të ndryshëm Ibrahim Rugova e Albin Kurti”.
Ai thotë se ata që janë me të djathtën dhe me Rugovizmin nuk përfundojnë në ‘prehrin e Albin Kurtit’, siç thotë se ka përfunduar Shpejtim Bulliqi, të cilin e quajti mashtrues e tradhtar.
“Prandaj, secili që është me të djathtën, me Rugovizmin nuk përfundon në prehrin e Albin Kurtit, siç ka përfunduar një mashtrues i llojit të Shpejtim Bulliqit, i cili s’ka lënë rast pa përfituar nga LDK-ja sa ishte në pushtet, e për të ruajtur e zhvilluar edhe më ambiciet e tij politike e biznesore tradhtoi LDK-në duke përfituar nga LVV.
Ibrahim Rugovës nuk i bën nder një tradhtar e mashtrues si Shpejtim Bulliqi. Sepse, ky nuk është nder. Ky është kalkulim për përfitim në emrin e Ibrahim Rugovës duke i shërbyer Albin Kurtit, por jam i bindur plotësisht se qytetarët llapjan e kanë kuptuar fytyrën e vërtetë të tij”.