Ish-drejtori në Komunën e Prishtinës, zyrtari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Hysen Durmishi ka vazhduar me reagime të ashpra ndaj kundërshtarëve të partisë së tij.
Përmes një shkrimi në Facebook, të stilit diktatorial, ai ka kërkuar arrestimin e disa gazetarëve, shkruan Indeksonline
“Astriti u vra. Vrasësit dhe urdhërdhënësit duhet të dënohen. Prokuroria duhet menjëherë, ama menjëherë, qysh sot, të shpallë urdhërarrest për Sylë Hoxhen, Nexhmi Krasniqin, Dhurata Hoxhën, Baton Haxhiun, Vehbi Kajtazin e plot të tjerë, në mënyrë që të zbulohet e vërteta. Nuk do të ndalemi kurrë deri te e vërteta për Astritin”, ka shkruar ai.
Lidhur me këtë çështje ende nuk ka reaguar Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës. Ndërsa, të papranueshme i ka quajtur avokati Arianit Koci, thirrjet e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje për burgosjen e gazetarëve për mendimet që ata kishin dhënë gjatë tri viteve të fundit lidhur me rastin Dehari.
Avokati Koci, përmes një reagimi në Facebook, ka pyetur nëse ekziston Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për t’i mbrojtur gazetarët.
“A ka Asociacion të Gazetarëve në këtë vend? A ka gazetarë? A është dikush që mbron lirinë e mediave? Lirinë e gazetarëve? Thirrjet për burgosjen e gazetarëve bëhen vetëm në Rusi, Turqi, Venezuelë e Kubë. Gazetarët s’mund të arrestohen pse kanë shkruar, pse kanë shprehur mendimin e tyre – qoftë edhe i gabuar”, ka shkruar Koci, në një reagim.