Adil Thaçi, biznesmeni nga Komuna e Malishevës, është akuzuar për mashtrim në rastin e madh të fajdeve, në të cilin Prokuroria e Shtetit ndjek penalisht Ismet Osmanin – “Currin” dhe tre persona të tjerë.
Sipërmarrësi, i cili drejton kompaninë “Albioni” Sh.P.K., të profilizuar në fushën e ndërtimtarisë, është i vetmi nga pesë të implikuarit në aktakuzën e Prokurorisë që nuk akuzohet për fajde.
Organi i akuzës e ka ngarkuar Adil Thaçin me kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Sipas aktakuzës, më 30 maj, 2017, bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton për të cilën Adil Thaçi ia pagoi Sami Nikës 260,000.00 euro, me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, “atëherë ai merret vesh me Sami Nikën dhe Adil Thaçin që shtëpia e tij në Pejton t’i shitet Adil Thaçit”.
Prokuroria pretendon se Thaçi kishte ndërmjetësuar në rastin e lidhjes së kontratës për shtëpinë përmes paraqitjes së rreme të fakteve “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore”.
Paparaci, ka publikuar të premten dosjen e plotë të rastit.
Sipas dëshmisë së Faton Dalladakut, viktimës së fajdeve të dhëna nga grupi i “Currit”, dëshmohet se si Adil Thaçi “rrëshqiti” në aktakuzën e grupit të fajdeve në drejtim të fundit të ngjarjes.
Dalladaku i ka thënë prokurorit të rastit Armend Hamiti, se me inciativë personale kishte kërkuar përfshirjen e Thaçit në rastin e tij të fajdeve që i detyrohej grupit të “Currit”. Dalladaku ka deklaruar se ka kërkuar ndihmën e Thaçit për “shtyrjen e vades” së borxhit që i detyrohej Mentor Maqanit, një fajdexhiu të akuzuar nga Prokuroria.
“U informova se Mentor Maqani ka një raport të mirë me personin Adil Thaqi nga Malisheva, i cili edhe filloi me krye punë në spital [Intermed, në pronësi të Faton Dalladakut,v.j] me firmën Albioni dhe angazova nje shok timin Naim Bytyqi i cili vuri kontakt me te dhe aranzhoi një takim”, tregon Dalladaku.
“Herën e parë jemi takuar në një kafe në Komoran dhe unë ia shpjegova situatën time Adilit. Ai më tha që mua ‘s’më intereson ma thellë’ por na tha se do të bisedoj me Mentorin neser a mbasnesër të na jep përgjigje”, vijon Dalladaku, deklaratën e tij para prokurorit.
Dalladaku, shpjegon se Adil Thaçi i ndihmoi në shtyerjen e afatit të borxhit me fajde prej rreth 500 mijë eurove që ai i detyrohej Mentor Maqanit. Sqaron se ishin pajtuar për një kusht: që shtëpia e Dalladakut në lagjen Pejton të bëhej garancë për shtyrjen e borxhit.
“Adili pranoj që të ma shtynte borxhin tek Maqani deri në natën e vitit të ri, por me tha se me një kusht: ‘pasi që unë jam dorëzan i kësaj vadeje ne princip kam qef mi pas qepët nën krye dhe duhet të bëjmë kontratë për shitblerje të shtëpisë’, sepse duke ditur natyrën e tyre keta mund te bejnë ndonjë ndryshim te pronarit para meje”, shpjegon Dalladaku, marrëveshjen e tij me Thaçin.
Biznesmeni nga Prishtina, viktimë e fajdeve të grupit të “Currit”, dëshmon se nuk kishte arritur të shlyente borxhin deri në natën e ndërrimit të motmoteve më 2018. Thotë se disa javë më parë kishte marrë porosi nga Thaçi se nëse nuk do ta lante borxhin, do të ballafaqohej sërish me Mentor Maqanin.
“Nuk do të kesh më punë me mua”, shpjegon Dalladaku t’i ketë thënë Adil Thaçi në një bisedë që kishin realizuar sy më sy.
Por, sipas Dalladakut, më 1 janar 2018, Mentor Maqani në bashkëpunim me “një punëtor të Adil Thaçit” e kishin kërcënuar një punëtor të tij duke i thënë se do t’ia merrnin shtëpinë biznesmenin nga Prishtina.
Të premten, Paparaci raportoi se si 350,000.00 euro të marra hua nga grupi i Ismet Osmani – “Currit”, një biznesmeni misterioz nga Mitrovica, e çuan drejt falimentimit Faton Dalladakun.
Afaristi nga Prishtina i kishte marrë fajde grupit të “Currit”. Ata i aplikuan Dalladakut një kamatë mujore prej 7% të fajdesë. Paparaci sjell aktakuzën e plotë kundër Ismet Osmanit dhe të tjerëve, të cilët dyshohet se përfituan miliona euro nga fajdetë.