Nga sot të gjithga bankat , janë të obliguara që t‘i ju mundësojnë qytetarëve shërbimet bazike pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
Nga sot hynë në fuqi disa nga shërbimet pa pagesë, ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët nuk do të paguajnë më për mirëmbajte tarifa enorme.
Ky është njoftimi i plotë i BQK-së:
Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2022 ka miratuar Rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike e cila hyn në fuqi më 1 gusht 2023, me përjashtim të nenit 5 paragrafit 4 i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024.
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike ka për qëllim të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike.
Qëllimi i BQK-së, është që përmes kësaj Rregulloreje, t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve të marrin përfitimet që sjellë tregu financiar, të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare, si dhe të nxitë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në sektorin financiar.
Rregullorja është hartuar me qëllim të harmonizimit të legjislacionit të BQK-së me direktivat e BE-së, në këtë rast me Direktivën e BE-së 2014/92/EU.
Rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës. Të gjitha bankat që operojnë në Kosovë do t’ju ofrojnë qasje në llogari pagese me shërbime bazike të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin të paktën shërbimet si në vijim:
- shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e një llogarie pagese;
- shërbimet që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike;
- shërbimet që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
- Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave:
4.1. debitimin direkt;
4.2. transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet;
4.3. transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online;
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike përcakton:
- kushtet për t’u qasur në llogari pagese me shërbime bazike,
- karakteristikat e llogarive të pagesave me shërbime bazike,
- tarifat në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike,
- grupin e konsumatorëve të cenueshëm e që përfitojnë shërbimet që ofron llogaria pagese me shërbime bazike pa pagesë
- obligimin e bankave për informim të klientëve në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike, si dhe
- mënyrën e konvertimit të llogarive aktuale në llogari pagese me shërbime bazike.
Rregullorja gjithashtu përcakton që bankat do të ofrojnë shërbimet e përcaktuara në nenin 4, paragrafin 1, të kësaj Rregulloreje pa pagesë ose me një tarifë të arsyeshme mujore, nëse ato e parashikojnë këtë tarifë në politikat e tyre të brendshme për përcaktimin e tarifave.
Vlera e arsyeshme e kompensimit sipas paragrafit 1 të këtij neni nuk mund të jetë më e lartë se 0,12%, e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës (apo 0.53 €), e publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo vlerë do të ndryshojë, bazuar në të dhënat e fundit vjetore të publikuara nga ASK.
Gjithashtu, bankat ofrojnë të gjitha shërbimet e parashikuara në nenin 4, paragrafi 1 të kësaj Rregulloreje, pa pagesë, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm, që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, të konfirmuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (apo ministria pasardhëse).
Sipas nenit 5 paragrafi 4, te rregullores, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024, grup i konsumatorëve të cenueshëm konsiderohen grupet të cilët përfitojnë:
- Pensione:
• Pensioni bazë;
• Pensioni kontribut pagues;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë; Pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça;
• Pensionet e pjesëtareve të TMK-së; Pensioni i forcës së sigurisë FSK-së;
• Kompensimi për të verbër;
• Pensioni familjar;
• Pensioni i invalidëve të punës;
• Pensioni i familjareve të dëshmorëve;
• Pensioni i invalidëve të luftës;
• Pensioni i viktimave civile;
• Pensioni i invalidëve civilë;
• Pensioni i të zhdukurve të luftës;
• Pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së; - Ndihma sociale;
- Grupet tjera të cenueshme që mund të parashihen me legjislacion në Republikën e Kosovës; të konfirmuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Po ashtu bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Komerciale e cila në vendimin e datës 24 korrik 2023, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e bankave për të shtyrë ekzekutimin e rregullores se re të BQK-së, e cila bankat i obligon që të hapin llogari pagese me shërbime bazike për qytetarët e Kosovës duke filluar nga data 1 gusht 2023. Me këtë rast Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejtë BQK-së për Rregulloren përkatëse të aprovuar më parë e cila me hyrjen në fuqi do të jetë në funksion të rritjes së gjithpërfshirjes financiare, si dhe në dobinë e përfshirjes së vet konsumatorëve në këto shërbime me kosto më të ulëta për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Për informim më të detajuar lidhur me Rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike mund të gjenden informata në ëebfaqen e BQK-së: - Rregullore-per-qasje-ne-llogari-pagese-me-sherbime-bazike-.pdf (bqk-kos.org).