Site icon PrishtinaPress

Hyn në fuqi ligji që e bën shpifjen vepër penale në Republikën Sërpska

Amendamentet e Kodit Penal të Republikës Sërpska, të cilat kanë hyrë zyrtarisht në fuqi më 25 gusht në këtë entitet të Bosnje dhe Hercegovinës, duke e bërë shpifjen vepër penale.

Më 25 gusht skadoi afati ligjor prej tetë ditësh pas publikimit të ndryshimeve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska dhe ato dispozita hynë në fuqi.

Sipas ndryshimeve ligjore të miratuara në seancën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska më 20 korrik, shpifja u shndërrua në vepër penale.

Bërja e deklaratave dashakeqe ose të pavërteta për një person definohet si shpifje dhe për këtë vepër parashihen gjoba nga 1.000 deri në 3.000 euro.

Dënime më të mëdha parashihen nëse shpifja shfaqet në media (përfshirë rrjete sociale) ose në një takim publik.

Ndryshimet ligjore u kundërshtuan nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë Ambasadën Amerikane dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në këtë vend.

Më 21 korrik, institucionet ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë lëshuan një deklaratë të përbashkët, ku thanë se kriminalizimi i shpifjes është në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës në fushën e të drejtave të njeriut dhe se nuk është në përputhje me rrugën e integrimit evropian të Bosnje dhe Hercegovinës apo me 14 prioritetet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Kundër ligjit u shprehën edhe përfaqësuesit e komunitetit mediatik, të cilët paralajmëruan se kjo ndryshim ishte sulm ndaj lirisë së mediave në Republikën Sërpska dhe paralajmëruan paraqitjen e një kërkese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Republikës Sërpska. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Më parë, Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska hodhi poshtë një kërkesë për ta përcaktuar nëse ndryshimi i këtij ligji përbën shkelje të interesit jetik kombëtar.

Interesi jetik kombëtar është mekanizmi që u jep grupeve boshnjake, kroate dhe serbe aftësinë për të deklaruar një ligj “të dëmshëm” për njerëzit që përfaqësojnë dhe për ta parandaluar miratimin e ligjeve.

Gjobat ishin reduktuar në krahasim me projektligjin fillestar, në të cilin ato arrinin deri në 60.000 euro. Por, shpifja u bë prapëseprapë pjesë e Kodit Penal, 22 vjet pasi parlamenti i Republikës Sërpska miratoi Ligjin për mbrojtjen nga shpifja dhe transferoi veprën nga kodi civil në atë penal.

Exit mobile version