Site icon PrishtinaPress

Hyn në fuqi Ligji për buxhetin, ai për Pagat i dorëzohet presidentit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka dekretuar Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ai, po ashtu, sot ka pranuar nga Kuvendi edhe Ligjin për Pagat. Këto janë konfirmuar edhe nga Zyra për Media e Presidencës.

“Po, presidenti e ka dekretuar sot Ligjin për Buxhetin. Kurse, Ligji për Pagat është pranuar sot dhe bashkë me ankesat e pranuara do të shqyrtohen brenda afatit ligjor”, konfirmon Presidenca.

Ligji për pagat është kundërshtuar nga Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), sindikalistët e KEK-ut, KOSTT-it dhe Telekomit, të cilët janë të pakënaqur me kufizimet që u janë vënë në Ligjin për pagat.

Ndryshe, Ligji për pagat ka kaluar në Kuvend më 2 shkurt, me  63 vota për dhe 1 abstenim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës.

Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është ‘masakruar’.

Exit mobile version