Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, konkretisht faljen e 100 eurove.
Basha, me anë të një postimi në ‘Facebook’, e ka vlerësuar si “huqje” vendimin e Kushtetueses.
“Huçje e Gjykatës Kushtetuese dhe hipokrizia e komunave! Ka pas shumë propagandë se Qeveria po i detyron komunat me fal tatim në pronë, por ja që ligji nuk e thotë këtë! Ligji shkurt ofron që: Çdo tatimpagues kualifikohet për falje! Shuma e faljes lejohet deri në 100€ maksimum, dhe Vendimi për këtë falje bëhet nga kuvendet komunale!”, ka shkruar Basha.
“Jeni dëshmitarë që opozita bëri zhurmë se vlerësimi real i pronave ishte barrë e madhe tatimi për qytetarët! Qeveria e mori paraysh dhe me ligj ofroi mundësinë me ua fal! Mirëpo kur ndodhi kjo, komunat u ankuan se falja për qytetarë është humbje për komuna! Si humb komuna nëse përfiton qytetari? Koncentrohuni!!! Së paku mos u fshihni pas Gjykatës, deklarohuni me votë në kuvendet komunale, a po doni qytetarët me përfitu apo po doni m’i mbajt paret për vete?”, vijon më tej ai.
Kushtetuesja përgjatë ditës mori vendim që t’i vë masë të përkohshme nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, konkretisht pjesën ku obligohen komunat për faljen e 100 eurove.
Vendimi erdhi pasi që Komuna e Prizrenit e dërgoi përpara dy javësh për interpretim në Kushtetuese të njëjtin ligj. /Insajderi.org/