Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në Maqedoni nuk duhet të ketë një marrëveshje administrative, por një marrëveshje politike ndërmjet faktorit shqiptar dhe partisë maqedonase që do ta merr mandatin për të krijuar qeverinë e re, përcjell Telegrafi Maqedoni.
I ftuar në emisionin ”Arena” në ”Ora Neës”, Hoxhaj tha se qeveria e re, apo koalicioni qeveritar duhet që ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e gjuhës shqipe.
Hoxhaj porositë faktorin shqiptarë që të jenë properëndimor, duke akuzuar disa politikanë maqedonas se vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet përmes keqpërdorimit të çështjes së emrit me Greqinë.
Megjithatë Hoxhaj thotë se nuk mundet që Prishtina të tregojë se kush do të ishte partneri më i mirë i koalicionit. Edhe buxheti i shtetit zuri vend në debatin e ministrit Hoxhaj. Sipas tij, buxheti duhet të harxhohet proporcionalisht.
Për shefin e diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, shqiptarët kanë edhe një rol në Maqedoni, dhe ky rol është nxitja e zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjes së emrit, si edhe integrimi në BE dhe NATO.