0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Hoxhaj: Proces i vështirë, por njohjet do të vijnë në ditët e ardhshme

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të vijnë njohje të reja për Republikën e Kosovës.

Hoxhaj, ka informuar kabinetin qeveritar për aktivitetet lobuese që i ka pasur gjatë dy muajve të fundit në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine, me qëllim të rritjes së njohjeve për Kosovën.
Ai e ka siguruar kabinetin qeveritar se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe se disa vende do ta njohin Kosovën.
“Procesi i njohjes së Kosovës është bërë i vështirë, megjithatë dua t’ju siguroj se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe do të ketë disa vende të cilat do ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se qëllimi kryesor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës është rritja e numrit të njohjeve me qëllim që në momentin që Kosova të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të ketë vota të mjaftueshme.

“Kam marrë pjesë në disa samite në Afrikë, në disa forume multilaterale në Azi dhe në Amerikën Latine dhe kam pasur disa vizita bilaterale në këto tri kontinente gjatë dy muajve të fundit, tetor e nëntor. Dua t’ju siguroj se qëllimi ynë kryesor është që ta rrisim numrin e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetin. Natyrisht beteja jonë për njohje nuk do të jetë betejë në pafundësi, por e ka një cak të matshëm. Aktualisht janë 112 vende që e kanë njohur Kosovën. Një masë kritike e numrit të njohjeve për ne është numri 120 ose 130 njohje, meqë kjo ka të bëjë edhe me anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Nëse ne do ta kemi këtë numër prej 120-130, që janë 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, pastaj nëse gjatë vitit të ardhshëm do të aplikojmë në INTERPOL dhe UNESCO, do të kemi numër të mjaftueshëm të votave”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për marrëveshjen kornizë me BE-në e cila i lejon Kosovës qasje në programet e saj, për takimin e parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë-BE si dhe për angazhimin intensiv për liberalizimin e vizave.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img