Enver Hoxhaj, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, ka kritikuar ashpër trajtimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e krahasuar atë me politikat e regjimit të Millosheviqit. Në një postim të fundit në Facebook, Hoxhaj ka shprehur shqetësim të thellë për diskriminimin sistematik me të cilin përballen shqiptarët në rajon, duke e përshkruar situatën e tyre si “aparteid politik”.
Hoxhaj theksoi mungesën e qasjes në vendet e punës në sektorin publik, arsimin në gjuhën shqipe. “Ata, mbijetojnë sot fizikisht brenda një sistemi të aparteidit politik, pa qasje në vende pune në sektorin publik dhe pa libra në gjuhën shqipe. Ata, çdo ditë po bëhen një popull pa shtetësi dhe pa atdhe, sepse Serbia po fshinë dhe çregjistron çdo adresë të tyre të vendbanimeve autoktone!”, tha Hoxha mes tjerash.
Ai gjithashtu kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për dështimin në adresimin e kësaj çështjeje dhe shprehu zhgënjimin ndaj Qeverisë aktuale të Kosovës, të cilën e cilësoi si të izoluar dhe joefektive në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
“As Bashkimi Evropian apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar nuk ka ndërrmarrë asgjë për t’i thënë stop kësaj gjendjeje! Një Qeveri e Kosovës që i ka dyert e mbyllura kudo, nën sanksione dhe e izoluar, është pa kredibilitet që t’i ndihmojë vetes, jo më vëllezërve të tyre! Ajo është pa veprim stategjik dhe nuk ka pozicion që ta bindë ndonjë kryeqytet perëndimor që këtë gjendje në Luginë ta ndalojë e ndryshojë, duke i lënë shqiptarët atje të dorëzuar në fatin e tyre dhe pa kurrfarë mbështetje në regjimin e vjetër dhe të ri në Serbi!”, tha ai më tej.