-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Hoxhaj nga Mitrovica e Veriut në mbështetje të kandidatit Florent Azemi: Këtu fillon dhe mbaron interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur sot fushatën në veri të Mitrovicës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në këtë pjesë të vendit, fillon dhe mbaron interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës. Sipas tij, derisa PDK-ja ishte në pushtet në nivel lokal në Mitrovicë, në këtë pjesë ka pasur investime të shumta në infrastrukturë, si dhe janë ndërtuar shumë shtëpi të shqiptarëve.

“Nuk ka pikë më strategjike në Kosovë dhe në trojet shqiptare sesa kjo pjesë veriore e Kosovës… Sa ka qenë Bedri Hamza ministër i Financave, Avni Kastrati kryetar i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, të gjithë këta kanë pasur pikë strategjike dhe të interesit nacional mbështetjen për qytetarët shqiptarë, por edhe qytetarët tjerë të cilët jetojnë në këtë pjesë të Kosovës. Shumica e shtëpive dhe infrastrukturës që janë ndërtuar, ka qenë një koordinim i ngushtë në mes të pushtetit komunal të udhëhequr nga PDK dhe kolegëve të cilët kanë qenë në qeveri. Ne mendojmë se kjo pjesë e Kosovës është pjesa më e rëndësishme për Republikën e Kosovës, sepse këtu fillon dhe mbaron interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës. Andaj në këtë drejtim sot jemi këtu që ta mbështesim Florentin dhe kandidaturën e tij”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka ftuar të gjithë banorët shqiptarë të kësaj pjese që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh dhe ta votojnë kandidatin e PDK-së.

Edhe Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka potencuar se veriu ka qenë gjithmonë prioritet i kësaj partie, duke përmendur investime të shumta në këtë pjesë, si dhe kthimin e shumë familjeve shqiptare.

“Qëllimi ynë është që ta bëjmë maksimumin, pse jo të synojmë edhe fitoren. Si PDK vazhdimisht për ne ka qenë prioritet kjo pjesë. Derisa PDK-ja ishte në pushtet në nivel lokal janë bërë të gjitha këto investime që i shihni, janë kthyer shumë familje në lagjen e ‘Doktorëve’, në ‘Kroin e Vitakut’, në ‘Kodrën e minatorëve’, është investuar edhe në infrastrukturën rrugore, ndërsa në momentin kur PDK-ja nuk është në pushtet në jug të Mitrovicës, atëherë këtu janë ndërprerë dhe nuk ka investime”, tha Hamza.

Ai u shpreh i bindur se investimet në këtë pjesë do të vazhdojnë dhe do të ketë angazhim maksimal për një gjë të tillë.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Florent Azemi, duke bërë thirrje për dalje masovike të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera jo serbe në zgjedhje, tha se duhet fuqizuar pozicioni i tyre në këtë komunë, duke marrë njëherësh në këtë mënyrë pozitën e nënkryetarit për komunitete në këtë komunë, e cila, siç u shpreh ai, garantohet edhe me ligj.

“Synimi im është ai që më takon me ligj, sepse meqë është e vështirë pozita e kryetarit, qëllimi ynë është të marrim pozitën e nënkryetarit të komunës që na garantohet me ligj, gjegjësisht nënkryetarit për komunitete”, tha Azemi.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Verëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme komunale 2021.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img