Për këtë temë, Hoxhaj ka diskutuar edhe me mbështetësen e madhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, eurodeputeten Tanja Fajon, si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan.
“Kam takuar mbështetësin e madh të Kosovës në Parlamentin Evropian, kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, eurodeputeten Tania Fajon si dhe eurodeputetin sllovak Eduard Kukan. U kam kërkuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që një gjë e tillë nënkupton integrimin individual të cdo qytetari të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe është e drejtë fundamentale e qytetarëve të lëvizin lirshëm në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se nëse nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk do të ketë më kuptim.
“Nëse Serbia është shpërblyer shumëfish për shkak të dialogut me Kosovën, edhe Kosova duhet të shpërblehet në mënyrë të balancuar në këtë drejtim. Prandaj, nëse Kosova nuk merr liberalizimin pasi që t’i kryej detyrat e saj brenda vitit 2018, këtij dialogu do t’i humbasë kuptimi, dhe atë jo vetëm në planin politik, por edhe atë të mbështetjes së qytetarëve”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij Komisioni, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës me këtë komision.