Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së partisë nuk ka pasur përkrahje për t’u votuar Vjosa Osmani për presidente të Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se çështja do të diskutohet edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të PDK-së.
“Ne dallojmë prej subjekteve tjera politike. Unë nuk i marr vendimet këtu as në studio, por me organet e PDK-së. Dje në mbledhje të kryesisë nuk ka pasur përkrahje një gjë e tillë, sot do ta diskutojmë me Këshillin drejtues të PDK-së por që nuk pritet të ketë një vendim”, tha ai para mediave.
Kreu i PDK-së tha se në mbledhjen e Këshillit Drejtues po ashtu do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Sot kemi një mbledhje të Këshillit Drejtues. Është një mbledhje e rregullt dhe agjendë e takimit është të bisedojmë rreth rezultat të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kemi biseduar se si PDK do të dalim me një koncept të ri politikë, se si do ta riorganizojmë PDK-në, dhe se si do të bashkëpunojmë me media dhe me shoqërinë civile”, theksoi ai.
Hoxhaj deklaroi se nuk janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve te 14 shkurtit, duke thënë se do të rikthehen sërish në pushtet dhe do të dalin partia e parë në vend.