Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm në Drejtoratin për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim të Komisionit Evropian.
Hoxhaj dhe Danielsson kanë diskutuar për hapat e mëtejmë të zbatimit të MSA-së, agjendën e reformës evropiane, liberalizimin e vizave dhe takimin e parë të Këshillit për Stabilizim Asociim që pritet të mbahet gjatë muajit të ardhshëm.
Me këtë rast ministri Hoxhaj ka theksuar vullnetin politik dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për zbatim e MSA-së si dhe për aprovim dhe fillim të zbatimit sa më shpejt të reformës evropiane. Për këtë ministri Hoxhaj ka thënë se “se do të bëjmë çdo gjë në kapacitetin tonë për t’u përmbushur kushtet dhe të marrim liberalizimin vizave”.
Nga ana tjetër, Danielsson tha se Kosova e gëzon mbështetjen e Komisionit Evropian në avancimin e saj në agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave, por siç është shprehur ai, “progresi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe bindës për shtetet anëtare”.
Hoxhaj po ashtu e ka informuar Danielsson për dialogun për Serbinë dhe qëndrimin e Kosovës sa i përket zhvillimeve të fundit politike.