Site icon PrishtinaPress

Hoxhaj: Kurti si autokrat po kërcënon mediat, shoqëria do t’i rezistojë kësaj tendence

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thotë se pa bërë një muaj të plotë në krye të Qeverisë, ka nisur projektin për shndërrimin e demokracinë e qytetarëve të Kosovës në autokraci të pushtetarëve.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj është shprehur se bilanci i tre javëve të pushtetit të Albin Kurtit është dëshpërues si qeverisje dhe shumë i rrezikshëm si qasje.

“Mbyllja e patakt e qytetarëve dhe ekonomisë, dështimi i sigurimit të vaksinave, zhvendosja nga problemet reale të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet elektorale të Shqipërisë, paraqitja e Kosovës si shtet i dështuar e kriminal në OKB dhe së fundmi, kërcënimi arbitrar e autoritar i mediave të pavarura dhe fjalës së lirë, shpërfaqën edhe një herë me radhë atë që ne kemi thënë gjithmonë se çfarë përfaqëson realisht Albin Kurti dhe mendësia e tij”, shkruan Hoxhaj.

Ai thekson që këta hapa të paramenduar drejt autokracisë së Kurtit mbi demokracinë e qytetarëve , janë të papranueshëm për PDK-në dhe për çdo qytetar që e do drejtësinë mbi pushtetin dhe demokracinë mbi arbitraritetin.

“Ne do t’i rezistojmë kësaj tendence në çdo hap. Kurti do ta kuptojë se Kosova dhe demokracia jonë që duket e vogël për ambicien e pangopur të tij për pushtet, është e madhe, e dashur dhe e patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të saj”, përfundon ai.

Exit mobile version