Mirëpo, tregu i përbashkët rajonal jashtë tregut të përbashkët evropian i propozuar nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiq, ndonëse është përkrahur nga vendet tjera të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ka hasur në kundërshtim të ashpër nga Qeveria e Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp, tha se çdo treg i propozuar që të zhvillohet jashtë tregut evropian është i pakuptimtë dhe i papranueshëm për Kosovën.
“Ne e shohim Ballkanin dhe Kosovën si zgjatje të Evropës – si zgjatje të Bashkimit Evropian. Prandaj, edhe ideja e disa shteteve të rajonit që të ketë një treg të përbashkët rajonal, jashtë këtij të BE-së, që të ketë një treg të përbashkët me dogana të përbashkëta, për Qeverinë e Kosovës si e tillë është e papranueshme dhe nuk mendoj që i shërben edhe vetë agjendës evropiane”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka përmendur se Kosova ka pasur informatën e parë se kjo ide është dhënë dhe qarkulluar fillimisht nga Serbia, duke shtuar se Ballkani ka nevojë të integrohet në tregun evropian dhe jo të bëjë eksperimente të tilla. Sipas Hoxhajt, ideja për një treg të përbashkët rajonal bie ndesh edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim.
“Një qëndrim të tillë e ka pasur edhe Kryeministri Mustafa gjatë vizitës së tij në Sarajevë dhe unë mund t’ju them që nga 17 shkurti i këtij viti ne e kemi pasur informatën e parë që një koncept i tillë fillimisht është propozuar nga Serbia, e kemi edhe një non-paper të cilin e ka qarkulluar Serbia. Prandaj, ne mendojmë që rajoni nuk ka nevojë për një treg të përbashkët rajonal, por rajoni ka nevojë që tregu i rajonit të jetë pjesë e tregut të Bashkimit Evropian, për më shumë kjo bie ndesh edhe me vetë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës, sepse MSA do të duhej ta përgatisë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi që të bëhen pjesë e tregut të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar ka deklaruar se në konceptin gjeopolitik ky është një model rus i dominimit të Ballkanit nga ana e Serbisë, në planin ushtarak dhe atë diplomatik.
“Në një koncept më gjeopolitik, ma përkujton konceptin përreth Rusisë, ku Rusia po ashtu ka disa tregje të përbashkëta rajonale ku e dominon rajonin edhe në planin ushtarak edhe në planin diplomatik, kështu që nuk ma merr mendja që rajoni ka nevojë për eksperimente të tilla. Ky është qëndrimi ynë si Kosovë”, ka përfunduar Hoxhaj.
Edhe kryeministri Mustafa pati deklaruar se një ide e tillë e rikthen Jugosllavinë në rajon.