Site icon PrishtinaPress

Hoxhaj: Draft-asociacioni i Ramës duhet të ketë mbështetje në Kosovë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka mirëpritur draft-asociacionin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton Klan Kosova.

“Unë e përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama, dhe Shqipëria ka pasur rol në të kaluarën, dhe duhet të ketë edhe sot, në tejkalimin e situatës në veri të vendit”, ka thënë Hoxhaj.

“Asociacioni nuk është një shpikje e kryeministrit Rama. Është obligim nga viti 2013, për të cilin unë kam qenë edhe në atë kohë që të zbatohet dhe që të krijohet. Nëse do të krijohej në 2013, në vitin 2023 nuk do t’i kishim këto probleme që i kemi sot”.

“Zotëri Kurti e ka pranuar Asociacionin me pikën e shtatë, me një paketim të ri: vetëmenaxhim. Iniciativa e kryeministrit Rama duhet të ketë mbështetjen në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Madje Hoxhaj shkoi edhe më tej duke e quajtur hap të duhur dhe të domosdoshëm që Shqipëria të vinte me këso propozimi.

“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodhë në veri të vendit.

Sepse në fund të ditës jemi dy vende shqiptare në Ballkan, dhe vëllezërit tanë në Maqedoni banojnë në një hapësirë e cila nuk është larg hapësirës që banon Kosova politikisht”.

“Është mirë që të ketë përkrahje edhe nga Tirana edhe nga Shkupi”.

Exit mobile version