Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë konferencës së 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Evropës që po mbahet në Salzburg.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e komisionerit Hahn që procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për kosovarët të përshpejtohet dhe përmbyllet gjatë këtij viti.
Komisioneri për zgjerim të BE-së, Hahn, theksoi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.
Hahn inkurajoi ministren Hoxha që Kosova të vazhdojë me reformat sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.