4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

Ish-ministrja e Integrimeve Evrpiane, Dhurata Hoxha së bashku me Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin janë duke u gjykuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në seancën e të martës, të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave

Në seancën e sotme ka filluar dëshminë dëshmitari Ilir Muqaj, i cili deklaroi se momentalisht është duke punuar në Qeveri, ndërsa pritet të dëgjohet edhe dëshmitarja Blerta Verbovci.

Gjatë deklarimit të dëshmitarit Muqaj kishte edhe një konfrontim verbal në mes prokurores speciale llirjana Tafa Çollaku dhe kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili lidhur me konstatimet apo jo të deklarimit te dëshmitarit në procesverbal.

Kjo pasi që prokurorja Tafa-Çollaku përsëriti disa herë pyetjen e njëjtë për dëshmitarin, ngase konsideroi se nuk mori përgjigjen e duhur.

Andaj, kryetari i trupit gjykues iu drejtua me fjalët “je ka i përsërit fjalët oj prokurore, seriozisht nuk po të kuptoj prokurore”.

Tutje prokurorja Tafa Çollaku përsëri kërkoi që t’i lejohet vazhdimi i marrjes në pyetje të dëshmitarit pasi që sipas saj ka ndërhyrje nga kryetari i trupit gjykues dhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokate Kosovare Krasniqi.

“Unë diktoj jo ti, ti nuk mundesh me marr rolin e gjyqtarit”, deklaroi gjykatësi, Ismaili.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Dushi avokate Kosovare Krasniqi e ka kundërshtuar një pretendim të tillë të prokurores e pas kësaj trupi gjykues mori aktvendim përmes së cilit konstatoi se mbrojtësja e te akuzuarit Dushi nuk ka bërë ndonjë pengese në kryerjen e punës se prokurores në ketë seancë.

Tutje në deklarimin e tij dëshmitarit Muqaj, i cili deklaroi se që nga viti 2010 punon në Qeverinë e Kosovës dhe se në vitin 2005 apo 2006 ka qenë pjesë e një komisioni vlerësues për realizimin e implementimit të kontratës së MIE me kompaninë “PR Solutions”.

Gjatë kohës sa ka qenë pjesë e këtij komisioni vlerësues ka treguar se janë mbajtur tri takime të cilat janë dokumentuar edhe përmes procesverbaleve .

Muqaj tha se në takimin e parë të mbajtur me 12 dhjetor 2019 , është prezantuar nga menaxheri i kontratës që duhet të shqyrtohen dokumentet për 17 portale, ku pas vlerësimit të dokumentacionit përkatës gjatë këtij takimi janë refuzuar të gjithë këta operatorë për arsye sepse iu kanë munguar dokumentet bazike adekuate.

Ndërkaq, në takimin e tretë me 19 dhjetor 2019, dëshmitari deklaroi se menaxheri i kontratës i ka sjellë të gjitha dokumentet e kërkuara nga takimi paraprak i komisionit vlerësues dhe sipas këtij komisioni janë sjellë të gjitha dokumentet me vulë origjinale, ashtu siç janë kërkuar.

Muqaj theksoi se këtë vlerësim e kanë dhënë vetëm në cilësi të anëtarit të komisionit vlerësues e jo në cilësi të ndonjë eksperti adekuat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se i kanë pranuar dokumentet e lartcekura dhe kanë njoftuar sekretarin e ministrisë dhe se “PR Solutions” ka garantuar se të gjitha vulat dhe dokumentacionet janë origjinale e pas vlerësimit të komisionit të njëjtat kanë qenë në rregull.

Gjithashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Tafa- Çollaku ka thënë se si komision kanë vlerësuar se të gjitha këto dokumentacione janë në përputhje me faturën, kjo pasi që ky ka qenë komisioni i tretë vlerësues dhe se dy komisionet paraprake e kanë vlerësuar njëjtë pra se gjithçka ka qenë në rregull në kuptim të procedurës.

Pas deklarimeve të tilla, seanca e sotme është shtyrë, ndërsa seancat e radhës lidhur me këtë rast pritet të mbahen me 26 dhe 31 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.

I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img