Në emisionin EURO n’7 është diskutuar roli i qeverisë dhe sfidat e bizneseve në Kosovë, si dhe premtimet e parealizuara të qeverisë Kurti.
Ekspertët e ekonomisë kanë kërkuar nga partitë politike që të kujtohen më shumë për bizneset dhe jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore, duke konstatuar se pjesa më e madhe e premtimeve të qeverisë aktuale nuk janë realizuar.
Korab Hoxha, i cili ka punuar për më shumë se 20 vjet në sektorin privat, ka kërkuar nga të gjitha partitë që tani janë në fushatë zgjedhore, të kenë ide konkrete për lehtësira për bizneset dhe të mos kujtohen për to vetëm gjatë fushatave.
Sipas tij, është jetike që qeveria të bëjë digjitalizimin e të gjitha shërbimeve për bizneset dhe të implementojë politika të reja fiskale me qëllim që të ndihmohet biznesi vendor.
“Partitë politike zakonisht merren me sektorin privat vetëm gjatë fushatës, duke i vizituar dhe duke bërë fushatë. Pritjet e mia nga partitë politike janë që të përmirësohet infrastruktura ligjore dhe rregullativa e nevojshme. Shumë ministri dhe komuna kanë promovuar digjitalizimin e shërbimeve, por burokracia institucionale është ende shumë e madhe. Për shembull, për të hapur një biznes të ri është thënë se procedura është lehtësuar, por prania fizike në organet kompetente është e domosdoshme dhe kjo shkakton vonesa të panevojshme, duke u ndeshur sërish me zyrtarë burokratë. Këto çështje duhet të rregullohen sa më parë,” ka shtuar Hoxha.
Në anën tjetër, ai ka theksuar se partitë politike duhet të kenë një qasje krejtësisht ndryshe ndaj prodhuesve vendor, duke u ofruar atyre përkrahje institucionale, si në lehtësira tatimore, ashtu edhe në promovimin e tyre.
“Nuk ka pasur përkrahje për prodhuesit vendor nga kjo qeveri; pothuajse njëjtë ka qenë edhe në të kaluarën. Nuk do të duhej që përkrahja e qeverisë të përfundojë vetëm me sigurimin e një shtandi në panair, kjo nuk mjafton. Qeveria duhet të krijojë politika stimuluese dhe mbrojtëse për prodhuesit vendorë, duke i ndihmuar ata në sigurimin e tregjeve të reja për plasimin e produkteve kosovare dhe jo vetëm një herë, por në mënyrë konsistente,” ka thënë Hoxha.
Sipas tij, çdo qeveri që do të vijë pas 9 shkurtit duhet të krijojë politika mbrojtëse ndaj prodhuesve vendorë, ashtu siç bëjnë shtetet e rajonit, të cilat mbrojnë prodhuesit e tyre duke kufizuar hyrjen e produkteve të huaja.