1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Hovenier takon Haxhiun: Të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi dhe Vettingun

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që t’i respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias, lidhur me çështjen e reformave në drejtësi dhe Vettingut.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka treguar se sot ka takuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

Hovenier ka shkruar në Twitter se me Haxhiun ka diskutuar rreth forcimit të mëtejmë të shtetit të së drejtës, derisa ka theksuar se SHBA-ja e mbështet Kosovën për nxjerrjen dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.

“Me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutuam prioritetet e përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe dhunës në familje dhe mbështetjen e SHBA-së për nxjerrjen dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësinë penale dhe vetingut”, ka shkruar Hovenier.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni i Venecias ka nxjerrë rekomandimet e veta lidhur me reformat e synuara nga Qeveria e Kosovës, për sistemin prokurorial në vend.

Në opinionin e publikuar, Komisioni i Venecias e ka konsideruar të rrezikshëm planin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Komisioni i Venecias thotë se reforma që Qeveria planifikon ta bëjë në sistemin prokurorial nuk duhet të çojë në nënshtrimin e Këshillit Prokuorial ndaj shumicës qeverisëse.

“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj mazhorancës qeverisëse. Projekt amandamentet propozojnë që të gjithë anëtarët e pavarur të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias thekson se duhet të sigurohet që komponenti bazë i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse në Kuvend, nuk do të mund të udhëheqin të vetëm.

Organi që interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit, i konsideron të panevojshme propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.

Në opinionin e Komisionit të Venecias rekomandohet zgjedhja e anëtarëve të pavarur të Këshillit Prokurorial vetëm me një shumicë më të madhe sesa shumica qeverisëse në Kuvned. Kësisoj, Komisioni i Venecias këshillon që anëtarët të pavarur të KPK-së të mos dalin nga Kuvendi i Kosovës, por nga institucionet e jashtme të pavarura apo shoqëria civile.

“Zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimin e disa anëtarëve të pavarur nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile”, rekomandon Komisioni.

Komisioni i Venecias e vë në pikën e parë të rekomandimeve çështjen e kryeprokurorit, që sipas këtij komisioni, ai duhet të mbetet anëtar i KPK-së.

“Autoritetet duhet ta konsiderojnë mbajtjen e Prokurorit të Përgjithshëm si anëtar ex officio i KPK-së (me një rregullim përkatës të përbërjes së KPK-së, nëse është e nevojshme)”.

Rekomandimet vijojnë duke përjashtuar edhe opsionin e përzgjedhjes së anëtarëve nga një komision parlamentar, që konsiderohet si zgjidhje komplekse dhe e paqartë.

“Procedura e parazgjedhjes së anëtarëve të pavarur nga një komision parlamentar është gjithashtu komplekse dhe, në të njëjtën kohë, e paqartë. Kjo hap derën për manipulime, kështu që Komisioni i Venecias rekomandon që kjo procedurë t’i nënshtrohet një rishikimi të thellë”, thuhet në dokument.

Kjo, sipas Komisionit, do t’u jepte shumë pushtet komisionit që i zgjedh anëtarët e KPK-së, e që do të dominohej nga ata që s’janë prokurorë.

“Nëse është i nevojshëm një lloj trupi filtrues, ai duhet të përbëhet nga prokurorët, ose të paktën shumica e prokurorëve”, thotë Komisioni.

Të rrezikshme për pavarësinë e Prokurorisë Komisioni i Venecias i cilëson edhe dispozitat që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve të KPK-së.

“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve aktualë të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në e ripërtërirë të funksionojë vetëm me anëtarët e pavarur në përbërjen e saj, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë dhe duhet rishikuar. KPK-ja e re mund të fillojë të funksionojë vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në parashtresat e saj, është zotuar se do ta rishikojë propozimin për përbërjen e KPK-së dhe se do të largohet nga ideja për funksionalizimin e KPK-së pa praninë e anëtarëve të Prokurorisë, si dhe ndryshimin e çështjeve të tjera, thuhet në fund të dokumentit të publikuar nga Komisioni i Venecias.

Në tetor, Haxhiu kërkoi një opinion nga Komisioni i Venecias për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin e kishte përgatitur paraprakisht.

Ndërkaq opinioni i Komisionit të Venecias për vettingun do të jepet në mars të këtij viti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img