Ambasadori I Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se është i shqetësuar për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës karshi serbëve të Kosovës. Përmes një deklarate për media, Hovenier ka përmendur operacionin për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Ai tha se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit.
Hovenier tha tutje se është i shqetësuar edhe për sekuestrimin e një automjeti me dinar serb që po vinin në Kosovë nga Serbia.
“Ne jemi të shqetësuar edhe nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të sekuestruar dinarë serb dhe automjetin transportues që distribuonte pagesat e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, thuhet tutje në reagimin e Hovenier.
Diplomati amerikan më tej ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.
“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”. /Express
Reagimi i plotë: