0.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Hovenier për rastin Klan Kosova: I marrim seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e medias

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke iu referuar rastit të televiziont Klan Kosova, ka thënë se i merr seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e medias.

Ai ka theksuar se çfarëdo përpjekje për të ndikuar në operimin, regjistrimin e biznesit, transmetimin e medias së pavarur kërkon shqyrtime shumë të kujdesshme dhe të detajuara dhe këto veprime nuk duhet të merren me lehtësi, apo pa pasur arsye shumë të rëndësishme.

“Kjo është një çështje e rëndësishme dhe ambasada amerikane ka folur për këtë çështje. E di për ShBA-në, duke marrë parasysh historinë tonë për një minutë, pyetja e medias së lirë dhe të pakufizuar është shumë e rëndësishme. Në vitin 1787, do të kthehem pak në histori, kur kushtetuta jonë diskutohej dhe iu dërgua shteteve për ratifikim, u bë e qartë se kishte shqetësime se nuk u ishte kushtuar mjaftueshëm vëmendje disa të drejtave specifike, një nga të cilat ishte liria e medias, dhe ishte kusht i disa shteteve për ta ratifikuar kushtetutën, atyre iu desh t’i kalojnë disa amendamente, të quajtur Ligji i të Drejtave, që përfshinin lirinë e medias”, ka thënë Hovenier.

Tutje, ai ka thënë se liria e medias është pjesë e idealeve themeltare të ShBA-së si Shtete të Bashkuara të Amerikës.

“Thomas Jefferson, sekretari ynë i parë i shtetit, presidenti i tretë, hartues i deklaratës së pavarësisë, 247-vjetorin e të cilit e festojnë gjatë javës së ardhshme iu referua mediave si pushteti i katërt dhe çka nënkuptonte me këtë është se ne kemi degën ekzekutive, degën legjislative, degën gjyqësore dhe pastaj mediat dhe roli që mediat duhet të luajnë është të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie”, ka shtuar ambasadori amerikan.

“Pra i marrim seriozisht të gjitha tendencat për ta kufizuar rolin e  medias dhe ofrimin e atij shërbimi ndaj shoqërisë për transparencë dhe llogaridhënie. Pra jemi duke e parë këtë nga afër. Besojmë se çfarëdo përpjekje për të ndikuar në operimin, regjistrimin e biznesit, transmetimin e medias së pavarur kërkon shqyrtime shumë të kujdesshme dhe të detajuara dhe këto veprime nuk duhet të merren me lehtësi, apo pa pasur arsye shumë të rëndësishme”, ka theksuar Hovenier.

I pyetur rreth asaj se a beson se do të ketë mundësi ta zhvillojë një intervistë tjetër në studiot e Klan Kosovës në të ardhmen e afërt, ai është përgjigjur pozitivisht.

“Unë jam mjaft i sigurt se unë dhe ti do ta kemi mundësinë të bëjmë intervista të tjera në të ardhmen, po”, është përgjigjur ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img