Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur lidhur me pritshmëritë e tij për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një kërkesë kjo që Hovenier tha se ShBA pret që të përmbushet.
I pyetur nëse Asociacionit do të duhet t’i jepet përparësi, Hovenier tha se nuk beson që themelimi i tij do të jetë gjëja e parë që do të bëhet, por që s’duhet të jetë as e fundit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ambasadori amerikan potencoi se është BE-ja dhe Lajçak që do të vendosin lidhur me rrjedhshmërinë e përmbushjes së kërkesave të dialogut.
“Prandaj, është z. Lajçak ai që duhet të mendojë – së bashku me palët – rreth renditjes së pjesëve të ndryshme brenda dialogut. Nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e parë që kryhet; gjithashtu nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e fundit që kryhet. Por, mendoj se përderisa ky proces ec përpara, edhe ne presim të shohim përparim drejt zbatimit të Asociacionit”, deklaroi ambasadori Hovenier në Debat Plus të RTV Dukagjinit. /Reporteri.net/.