Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka deklaruar se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në një takim që ka zhvilluar sot me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier tha se aktualisht fokusi kryesor është te zbatimi i ankesit të marrëveshjes.
“Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky është një moment mjaft i rëndësishëm në lidhje me përpjekjet tona të vazhdueshme për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe për të zënë vendin e saj në Ballkanin Perëndimor si shtet sovran dhe i pavarur”
“Kjo marrëveshje e përkohshme, për të cilën po punohet, edhe zbatimi që po negociohet në Ohër këtë fundjavë, ne e konsiderojmë si një hap shumë të rëndësishëm përpara dhe mendojmë se një marrëveshje e plotë është e arritshme. Ne besojmë se kjo marrëveshje, 11 pikat që janë rënë dakord, aneksi zbatues që është në negocim sjell përfitime reale, praktike si politike ashtu edhe ekonomike. Pra, dua të jem i qartë se 11 pikat aktuale, ato nuk po negociohen”, tha ai, raporton KosovaPress.
Sipas ambasadorit amerikan, plani i BE-së për dialogun nuk përmban njohjen de-jure mes dy vendeve, por njohja reciproke duhet të ndodh në marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
“Nuk shoh referencë në këtë marrëveshje bazë shumë formale, njohjen de-jure të Kosovës. Kështu që nuk jam i sigurt se mund të flas për këtë sekuencë, e vetmja gjë që mund të them është se këtu jemi në anët pozitive që vijnë nga ku jemi. Dhe mund të them gjithashtu se ekziston kjo pikëpamje afatgjatë se në fund do të duhet të ketë njohje reciproke midis këtyre dy vendeve, por kur do të ndodhë dhe në çfarë kushtesh, është e vështirë për mua të them tani…”
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i qartë, ka qenë dhe do të jetë, dhe nuk e shoh atë duke ndryshuar, por ne duhet të merremi me momentin në të cilin jemi, dhe mendoj se realiteti është për një sërë faktorësh, por kryesisht për shkak të vendimeve që po merren nga lidershipi në Serbi gjasat për arritjen e njohjes reciproke në këtë moment nuk janë shumë të larta dhe nevoja për një status quo të ri të ripozicionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi që kontribuon më shumë në një stabilitet më të madh rajonal dhe i lejon Kosovës të lëvizë përpara në shumë mënyra, është edhe e arritshme dhe e rëndësishme”, tha ai.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Hovenier tha se i njëjti duhet të themelohet, por shtoi se Kosova nuk mund të zbatojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Ne i kuptojmë disa nga shqetësimet që janë ngritur. Besojmë se është shumë e rëndësishme që Asociacioni të kontribuojë në funksionimin e mirë të Kosovës, shtetit dhe shoqërisë, në vend që të heq atë. Pra, ne kemi qenë të qartë, nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”
“Ne nuk besojmë se është e duhura që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Këto janë disa udhëzime, por brenda kësaj hapësire, ka një hapësirë të mjaftueshme për atë që do të jetë kjo. Shpresojmë që ata do ta kalojnë këtë proces këtë fundjavë dhe kjo do të ecë përpara sepse mendojmë se është një element shumë i rëndësishëm për ripozicionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur këtë status quo të re, më të qëndrueshme, më pozitive. Por gjithashtu e ndihmon Kosovën të jetë më e suksesshme për të qenë ajo që është, një shtet demokratik multi-etnik që ka dispozita dhe struktura për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë qytetarët nga komunitetet pakicë”, tha Hovenier.
Ambasadori foli edhe për aspiratat e Kosovës për tu anëtarësuar në NATO, duke thënë se SHBA-të besojnë që Kosova një ditë duhet të jetë anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
“Shtetet e Bashkuara kanë shprehur një vizion për Kosovën që besoj se edhe populli i Kosovës pajtohet, dhe ky është se Kosova gjithnjë e më shumë po zë vendin e saj në familjen evropiane dhe po integrohet në strukturat evropiane dhe atlantike, përfshirë edhe NATO-n. Dhe vizioni ynë për Kosovën në planin afatgjatë është shumë i drejtpërdrejtë, ne besojmë se Kosova duhet të jetë, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut një ditë, dhe është vetëm një çështje se si do i përmbushni kushtet në mënyrën e duhur për ta arritur këtë”, tha Hovenier.
Ai shtoi se në rast se arrihet një marrëveshje në Ohër, dhe Kosova shihet se ka kontribuar me sukses, në mënyrë konstruktive për arritjen e kësaj marrëveshjeje, do të ketë një aktivitet të shtuar amerikan në lidhje me partneritetin për paqe.
“Më duhet të them edhe një pikë tjetër, NATO merr vendime me konsensus, kështu që të gjitha vendimet merren me konsensus siç e shohim në të gjitha vendimet e NATO-s. Pra, nuk mund të garantoj se aspirata që ka pasur populli i Kosovës, për të cilin ne pajtohemi, do të përmbushet menjëherë. Por ajo që mund t’ju them është se do të shihni një aktivitet të fuqishëm amerikan dhe mbështetje për këtë qëllim”, tha Hovenier. /KP/