Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka uruar Ukrainën për përvjetorin e pavarësisë.
Hovenier shkroi në rrjetin social X se SHBA-ja përsërit angazhimin për ta mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Ndërsa urojmë Ukrainën për këtë ditë historike, ne përsërisim angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, shkroi Hovenier, duke publikuar një fotografi të një banderole të madhe të vendosur në objektin e ambasadës amerikane me mezashin “Të bashkuar me Ukrainën”.
“Siç tha Presidenti Biden muajin e kaluar, ‘Angazhimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të dobësohet. Ne do të qëndrojmë për lirinë dhe lirinë sot, nesër dhe për aq kohë sa të duhet’. E thënë me fjalë të thjeshta: pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë i Presidentit Putin në Ukrainë është një veprim që kërcënon paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të gjithë Europës dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Hovenier, e cila u publikua e plotë në faqen e Ambasadës së SHBA-së.
Hovenier theksoi ndër tjerash se “populli i Kosovës ka demonstruar solidaritet dhe partneritet të jashtëzakonshëm për ta mbështetur Ukrainën”.
“Solidariteti i Kosovës ka rëndësi dhe ka pasur ndikim. Siç e kam thënë edhe më parë: ajo që ju, Kosovë, qëndroni dhe me kë qëndroni, ka rëndësi. Populli i Kosovës është pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje globale për ta refuzuar sfidën brutale të Putinit ndaj një kombi të pavarur dhe sovran. Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe partnerët tanë do të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën sot, ndërsa ne e kremtojmë së bashku ditën kombëtare të Ukrainës dhe çdo ditë në mbështetjen tonë për vlerat demokratike dhe sigurinë europiane”.