Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar kadetët e rinj të Policisë së Kosovës, në ditën e diplomimit.
Përmes një shkrimi në Twitter, Hovenier është shprehur i lumtur për suksesin e kadetëve që diplomuan sot, duke thënë se është i kënaqur që kjo klasë përbëhet nga përfaqësues të ndryshëm nga e gjithë Kosova.
“Urimet e mia të përzemërta për kadetët e rinj të Policisë së Kosovës për ditën e diplomimit! Veçanërisht i kënaqur të di që kjo klasë përbëhet nga përfaqësues të ndryshëm nga mbarë Kosova. Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë, dhe ky është një hap tjetër drejt sigurimit të përbërjes së tyre që pasqyron Kosovën në të gjithë diversitetin e saj” ka thënë Hovenier.
Kujtojmë që sot u betuan 419 policë të rinj në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, ku 85 prej tyre janë prej komuniteteve jo shumicë.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti si dhe ministrat Xhelal Sveçla e Armend Mehaj.