Site icon PrishtinaPress

Hovenier: Duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Hovenier i ka bërë këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ai ka thënë se dialogu mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.

Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.

“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.

Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës, por duhet të diskutohet kjo çështje.

Kjo rregullore i ka prekur komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në to përdoret edhe dinari serb.

Shteti i Serbisë deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmat shtesë.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të pezullojë vendimin për dinarin serb dhe që bisedimet për rregulloren e BQK-së në Bruksel “të vazhdojnë me urgjencë”.

Më 27 shkurt, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për këtë çështje, por zyrtarët evropianë kanë thënë se “takimet shtesë do të jenë të nevojshme”.

Exit mobile version