Site icon PrishtinaPress

Hoti tregon arsyet e shkarkimit të drejtorit të Policisë, njëra ndër to lidhet me aksionin në Karaçevë

Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media ka folur sërish për punën e Qeverisë që ai drejton.

Hoti ka thënë se qeverisjen e kanë marrë në një gjendje tepër të vështirë, si rezultat i pandemisë por edhe situatës së rëndë ekonomike.

Në këtë konferencë, ai ka folur edhe për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Hoti ka përmendur disa nga arsyet e shkarkimit të Qalajt, duke thënë se njëra ndër to ka qenë menaxhimi jo i mirë i aksionit në Karaçevë.

“Në bazë të raportit të performancës të dorëzuar nga ministri i MPB e kam liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Drejtori i Policisë ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, kontroll dhe mbikëqyrje të policisë, gjithashtu në menaxhimin dhe shpërndarjen e buxhetit të policisë duke dështuar në arritjen dhe përmbushjes së objektivave të përcaktuara nga ministri”, ka thënë Hoti.

Kryeministri ka shtuar se në planin zhvillimor strategjik 2016-2020 kanë qenë të përcaktuara katër objektiva strategjike për Policinë e Kosovës, prej të cilave ministri i MPB-së vlerëson se luftimi i krimit dhe korrupsionet dhe avancimi i burimeve njerëzore nuk janë përmbushur.

“Arsye tjetër ka qenë edhe menaxhim jo i mirë i aksionit në Karaçevë, pavarësisht që ka pasur sukses në atë aksion…Tjetër çka është e rëndësishme është se në raport theksohet se gjatë vitit 2019-2020 janë arrestuar 68 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të përfshirë në vepra të ndryshme penale. Prej tyre 39 zyrtarë policor janë arrestuar në departamentin kufitar, dhe përkundër kësaj nuk është bërë asnjë ndryshim në menaxhmetin e Policisë. Ish-drejtori Qalaj më datë 11 shtator 2019 në kundërshtim me legjislacionin që rregullon procedurat e akteve ligjore dhe nënligjore e ka ndryshuar organo-gramin e Policisë së Kosovës pa e kaluar fare në procedurat ligjore dhe nuk e ka publikuar asnjëherë duke e mbajtur të fshehtë”, tha Hoti.

Exit mobile version