Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime dhe kushtëzime lidhur me procesin e dialogut, duke thënë se kushtëzimet vetëm “na izolojnë”.
Hoti ka thënë se dialogu i Kosovës është para së gjithash me Brukselin dhe Washingtonin dhe se përmes këtyre qendrave kalon rruga e vendit për në Bashkimin Evropian dh NATO.
Deklarata e tij vjen pasi pasi Presidentja Vjosa Osmani tha se s’ka arsye për t’u takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq pa u sanksionuar Serbia.
Sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë situatën e krijuar për të “rivendosur bashkëpunimin e cenuar me aleatët” dhe për avancim të integrimit euro-atlantik.
E dyta, lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime dhe kushtëzime lidhur me dialogun. Dialogu jonë është para se gjithash me Brukselin e Uashingtonin. Përmes tyre qendrave kalon rruga e Kosovës për BE dhe NATO. Rrugë tjetër nuk ka. Kushtëzimet na izolojnë. Shpresoj që kësaj radhe lidershipi i Kosovës ka zënë mend për rëndësinë e respektimit të këshillave të aleatëve, të cilët në çdo moment po e garantojnë kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial e sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Tutje, ai ka thënë se duhet rindërtuar konsensusi dhe dakordimi me aleatët për një proces dialogu që shpie tek marrëveshja për njohje reciproke si e vetmja zgjidhje për paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës.
“E treta, Lidershipi i Kosovës duhet të fokusohet në ndërtimin e këtij konsensusi me aleatët tanë, e jo në agjendë triviale për t’ia mbushur mendjen botës se çfarë është fqinji jonë verior. Jam i bindur se inteligjenca informative e aleatëve nuk ka nevojë për deklarime ditore të lidershipit të Kosovës”, thuhet në postimin e Hotit.