Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
“Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti e falënderoi Ambasadorin Orlando për mbështetjen e përhershme të Italisë për vendin tonë, si dhe pohoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar ngushtë me Italinë edhe në të ardhmen.
Hoti e njoftoi ambasadorin Orlando për prioritetet e qeverisë së re të Kosovës, ndër të cilat veçoi luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Po ashtu, ai tha se Qeveria e Kosovës është tërësisht e përkushtuar për forcimin e shtetit ligjor, avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit, rritjen e punësimit, zhvillimin e tregut të lirë etj”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa, Ambasadori Orlando, duke e uruar Kryeministrin Hoti për detyrën e re, tha se Italia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në luftimin e pandemisë COVID-19, si dhe në përpjekjet e saj për t’i përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.