Site icon PrishtinaPress

Hoti: S’ka rëndësi kush e udhëheq dialogun, por formati i tij

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka arsyetuar qëndrimet e nënkryetarëve të partisë, të cilët nuk e kanë kundërshtuar udhëheqjen e dialogut nga presidenti Hashim Thaçi.

Hoti në një konferencë për media tha se nuk ka lidhje kush e udhëheq dialogun, po çfarë formati ka ai.

“Nuk është çështje dhënia e mandatit të askujt, atë që kanë thënë zyrtarët e lartë të LDK-së është se nuk do t’iu ikim përgjegjësive shtetërore, siç nuk i kemi ikur as me Demarkacionin, as me tema tjera të mëdha. Para të hënës ne do të diskutojmë gjerësisht dhe do të merret qëndrimi. Tema se kush duhet t’i udhëhiqet bisedimet nuk është tema më e rëndësishme, dëshirojmë të dakordohemi për formatin, temat që diskutohen”, tha Hoti.

Edhe në konferencën e sotme, që është vazhdimësi e konferencave javore, Hoti e përsëriti se Qeveria Haradinaj është e pafuqishme, e që është dëshmuar kur Haradinaj është shprehur i gatshëm t’ia delegojë udhëheqjen e dialogut LDK-së.

Hoti thotë se do të ishin të gatshëm për ta udhëhequr dialogun, kur t’i marrin mandatin me votat e qytetarëve.

Ai po ashtu ka pasur kritika për platformën e fazës finale të dialogut me Serbinë, që është proceduar në Kuvend.

Exit mobile version