Site icon PrishtinaPress

Hoti: Qeveria Kurti pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe shkrimin e ligjeve

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë një postim lidhur me borxhin shtetëror të Kosovës gjatë Qeverisjes Kurti.

Hoti ka thënë se asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes aktual.

Sipas tij, Qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve.

“Si parim, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se edhe disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë kësaj qeverie ka qenë shumë jo efektiv.

“Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”, ka shkruar tutje ai.

Hoti ka përmendur edhe vlerësimin kreditor shtetëror, për të cilin ka thënë se do të duhej të ishte kryer gjatë këtij mandati, por as që ka filluar. Në mungesë të këtij vlerësimi, Hoti thotë se normat e interesit në Kosovë janë mesatarisht më të larta.

“Ky vlerësim kryhet nga agjenci ndërkombëtare të vlerësimit dhe ka për qëllim të përcaktojë gjasat që një vend të mos paguajë borxhet. Ky vlerësim i hap Kosovës mundësinë për qasje në fondet e jashtme nga më të ndryshmet, përfshirë investimet e jashtme. Ky lloj vlerësimi është i rëndësishëm edhe për bankat komerciale për qasje në fonde të jashtme më të favorshme për kreditin e ekonomisë dhe familjeve në Kosovë. Në mungesë të këtij vlerësimi, normat e interesit në Kosovë janë mesatarisht më të larta, që nënkupton se koston e mospunës së Qeverisë për të kryer vlerësimin kreditor shtetëror po e paguajnë bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Exit mobile version