Site icon PrishtinaPress

Hoti pezullon vendimin për refuzimin e leje qëndrimit për Tienmu Ma

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pezulluar vendimin për refuzimin e kërkesës së lejes së qëndrimit të përkohshëm për Tienmu Ma që ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku kryeministri Hoti thotë se pezullimi vlen deri në një hetim të plotë nga institucioni i Avokatit të Popullit.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bazuar në fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, ka marrë vendim për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve A. Nr. 555/2020 me nr. prot A. nr. 1571/2020, të datës 01.10.2020, sipas kërkesës nga Avokati i Popullit.

1. Vendimit Nr. Ref. 116/2020 i Komisionit të Ankesave për të Huajt, i datës 21.09.2020 me të cilën i refuzohet ankesa z.Tienmu Ma, e parashtruar kundër vendimit të shkallës së parë;

2. Vendimit Nr. 02224/20 mbi refuzimin e kërkesës së lejes së qëndrimit të përkohshëm i datës 20.8.2020; dhe

3. Vendimit Nr. 00174/20 për largimin vullnetar të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizioni për të Huajt, i datës 21.8.2020″, thuhet në njoftim.

Më tej, kryeministri Hoti ofron bashkëpunimin e plotë rreth kësaj çështje, gjithmonë në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe njëherit mbetet në pritje deri në përfundimin e hetimit nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Ndryshe, javë më parë shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, për mediat ka thënë se këshilltari i kreut të VV-së, nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë leje të qëndrimit.

“Komisioni ka pru vendim që nuk i ka plotësua kushtet për ta marrë lejeqendrimin, në bazë të rregullave. Vendimi del nesër, ose këto ditë”, ishte shprehur ai.

Për rastin e Tienmu Ma ka pasur reagime të shumta.

Avokati Tienmu Ma është shtetas amerikan, i lindur në California, ShBA. Ai ka qenë hartues i raportit të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me deportimin e gjashtë shtetaseve turq (i njohur si rasti i Gylenisteve).

Raporti, i cili është miratuar nga Kuvendi në qershor 2019, pati gjetur plot 31 shkelje gjatë procedurave/procesit të deportimit të shtetaseve turq. Tienmu po ashtu ka shërbyer si këshilltar i jashtëm për të drejtat e njeriut i kryeministri Kurti gjatë Qeverisë Kurti.

Exit mobile version