Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kryesuesi i Komisionit qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur, Veljko Odaloviq, po e kushtëzon mbajtjen e takimeve dhe dhënien e informatave, duke kërkuar që të jetë i pranishëm në to.
Hoti ka thënë se Odaloviq që nga korriku i këtij viti ka ndaluar edhe takimet e nëngrupeve për personat e zhdukur.
“Ka qenë mediale përfshirja e tij në aktet kriminale gjatë luftës në Kosovë, por edhe para luftës. Edhe mospuna e tij prej vitit 2004 deri më sot, e bën atë të parëndësishëm. Është e vërtetë se s’kemi takim të grupit punues që nga viti 2021, mirëpo, takime të nëngrupeve, ekipeve profesionale, ato që e kryejnë punën në terren, nuk janë ndaluar. Kemi pasur 18 takime dypalëshe e shumëpalëshe në vitin 2022, e dy i kemi pasur këtë vit. Më duhet të tregoj se që nga korriku z. Odaloviq i ka ndaluar takimet e nëngrupeve. Fiks një muaj. E ka ndaluar pjesëmarrjen e ekipeve serbe, me arsyetimin se duhet të jetë prezent aty. Ka kërkuar ta shesë vetën, nëse më merrni mu në takime do të mbahen ato, përndryshe jo. Në atë shkallë shkon logjika e tyre”, ka thënë Hoti në “Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka bërë të qartë se prania e Odaloviqit në Kosovë është e ndaluar që nga viti 2021. Kurti e ka thënë këtë në Bruksel. Hoti ka thënë se edhe ai pajtohet me këtë.
Hoti ka thënë se është politizuar aq tepër çështja e të zhdukurve, dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka marrë me inat çështjen, duke mos e larguar Odaloviqin nga komisioni.
Odaloviq të hënën në një intervistë për “Kosovo Online” kishte akuzuar palën kosovare për ngecje.
Por, Hoti nuk ka dashur të merret me deklaratat e tij.
Hoti ka thënë se që nga viti 2004 kur Odaloviq është në krye të Komisionit qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur, ai ka maltretuar duke dhënë informata të pasakta.
“Ai mund të ketë dhënë që nga viti 2004 jo 2400 mund të kenë qenë edhe 20 mijë e më shumë letra. Por, nëse vini me i pa ato letra, s’tregojnë gjë. Para dy muajve ekipet tona kanë gërmuar në një prej qyteteve të Kosovës në një lokacion, jo në bazë të dokumenteve, por përafërsisht në bazë të tyre. Gati një hekter tokë është kthyer përmbys. Nuk e dini sa e rëndë është që gjithë ai mund dhe nuk pati rezultat. 2700 lokacione janë gërrmuar në Kosovë, çdo 4 kilometër katrorë, shumica prej tyre bazuar në ato dokumente, na kanë munduar të gërrmojmë gati krejt Kosovës dhe shumica prej tyre ishin informata të rrejshme, të thata. Nuk ka gjetje nga ato informata”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se nga pesë varreza masive që janë zbuluar në Serbi, tri prej tyre ishin zbuluar deri në vitin 2021, me presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, që atëherë donte ta dënonte Sllobodan Millosheviqin. E dini se janë gjetur mbi 1000 trupa.
Ai ka thënë se dy lokacione tjera janë gjetur nga viti 2004 deri në vitin 2021. Në secilin nga ato lokacione, Hoti ka thënë se është punuar nga pesë vjet, për shkak të fajit të Odaloviqit.
Ai ka thënë se gjetja e varrezës masive në Kizhevak ishte bërë vetëm falë imazheve satelitore të SHBA-së.
“Me i dëgju ekipet se çfarë kanë hequr, i kanë detyruar të gërmojnë rreth gjithë asaj pjese, por jo në koordinatën ku gjendeshin trupat. Ta largojmë atë pjesë të kaluarës së tij kriminale, ku ishte drejtor i Millosheviqit, ku janë rezultatet? Janë ende mbi 1600 persona të zhdukur, duke përfshirë edhe babanë tim. Dihen emrat kush i ka marrë, përfshirë edhe babanë tim. Është e paarsyeshme dhe e pakuptimtë të vazhdohet bashkëpunimi me një person që nuk jem informacione, por jep letra që nuk të çojnë askund. 24 vjet janë shumë”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se në BE ka dërguar në korrik komentet lidhur me termat e referencës të themelimit të Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.
“Komentet janë aq teknike, sa që nuk ka pasur nevojë as dy ditë pritje, por janë afro një muaj dhe ende s’kemi përgjigje nga BE-ja lidhur me komentet. Nuk e di nëse Serbia është në pyetje, nëse prapë po refuzon apo po bën probleme, siç bëri me deklaratën. Deklarata ishte nis në shtator të vitit 2021 dhe u përfundua në maj të vitit 2023. Nuk e di nëse po bën lojë të tillë të zvarritjes Serbia”, ka thënë Hoti. “Mund të jetë që Serbia nuk është pajtuar me komentet, apo që z. Miroslav Lajçak e z. Josep Borrell janë në pushime”, ka thënë Hoti.
Andin Hoti ka thënë se Kosova nuk duhet të kryejë asnjë nga zotimet e marra në marrëveshjen e Brukselit apo aneksin e zbatimit, derisa të ketë përparim në çështjen e personave të zhdukur.
“Konsideroj që Kosovë nuk duhet të kryejë asnjë nga zotimet e saj, cilat do qofshin ato në aneksin apo Marrëveshjen e shkurtit deri në përparim në çështjen e personave të zhdukur, sepse është e vetmja çështje që konsiderohet me urgjencë, është çështje të cilët i vihet një rendësi e veçantë. Prandaj nëse Serbia nuk është e gatshme që të bëjë ose të ofrojë atë që ne po kërkojmë, pse Kosova duhet të bëjë një gjë të tillë”.
Ai ka thënë se Arkivi i Kosovës nuk posedon asnjë dokument që mund të qojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sipas tij një dokumentacion i tillë as nuk ekziston dhe se as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka ndonjë dokument të tillë.
“Shteti i Kosovës nuk posedon asnjë lloj informacioni, asnjë lloj arkive, as njëlloj dokumenti që na qon të zbardhja e fatit të të zhdukurve, qofshin ata serbë, shqiptarë, boshnjakë apo të tjerë, nuk ekziston”, është shprehur Hoti.