I nominuari për kryeministër i qeverisë së mundshme në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ish-zëvendëskryeministri i qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Avdullah Hoti, ka thënë se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të qeverisë së re.
Hoti me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të hyjnë në qarkullim sivjet, ku sipas tij, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.
“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë. Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar”, shkruan Hoti, përcjell Telegrafi.
Ai shton se në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen të gjitha odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat dhe investitorë nga diaspora.
“Në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës. Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re. Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”, përfundon ai.
Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro, për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë.